Hande Ercel është përfolur gjatë në medie për lidhjet e saj të dashurisë apo për ndërhyrjet plastike. Megjithatë, duket se aktorja e serialit “Jetë”, e cila u shpall së fundmi “Aktorja më e mirë e komedive romantike” ka vendosur t’i japë një përgjigje të mirë të gjithë atyrë që kanë shkruar lajme të pavërteta për të.
Ja çfarë shkruan aktorja në profilin e saj në Instagram!
Po i ndjek me habi dhe me keqardhje të madhe lajmet e fundit që kanë dalë për mua dhe duket se janë lajme që janë shpërndarë nga një burim dashakeqës dhe që janë kthyer në një fushatë negative kundër meje.
E di që bëj një profesion të ekspozuar ndaj publikut, megjithatë edhe pse po e bëj profesionin tim me dashuri, jam bërë viktimë e sulmeve shumë pa nivel.
Nuk i kuptoj dhe s’kam për t’i kuptuar asnjëherë ata njerëz që nxjerrin “lajme” të shëmtuara për mua, sepse nuk mund t’i pranojnë femrat që qëndrojnë mbi këmbët e tyre dhe që janë të afta t’i përballojnë vetë nevojat e jetesës nëpërmjet punës së tyre.
Sigurisht që i ndjek me respekt lajmet që bëjnë gazetarët e ndershëm, por nuk do të hesht ndaj atyre lajmeve që janë krejtësisht të pabaza, që nuk tregojnë realitetin dhe që janë vetëm shpifje që kanë për qëllim të përlyejnë nderin tim dhe nëse do të jetë e nevojshme, do të përdor çdo të drejtë që kam kundër tyre.
Së fundmi, jam mjaft e shqetësuar për faktin që kohët e fundit po përflitet se nuk duhet të pretendoja për çmimin që kam fituar.
Ky pretendim është një shenjë mosrespektimi si ndaj meje, si ndaj personave të tjerë që e kanë marrë këtë çmim, ashtu edhe ndaj atyre që më kanë parë si të denjë për të votuar për mua.
Unë dua vetëm ta bëj mirë me aq sa mundem dhe me ndershmëri punën time dhe iu sugjeroj të gjithë të tjerëve që ta shohin po kështu profesionin që bëj.
Me respekt dhe dashuri,
Hande Ercel