Barış Arduç lindi më 9 tetor 1987 në Zvicër dhe i përket shenjës së Peshores. Babai i tij është nga Fatsa, Ordu (qytet në veri të Turqisë, buzë Detit të Zi), por me origjinë shqiptare. Kjo është edhe arsyeja pse aktori i mirënjohur turk flet edhe gjuhën shqipe. Pas divorcit të prindërve, ai u rrit me të ëmën dhe beson se femrat janë qenie të fuqishme dhe mund t’ia dalin mbanë edhe të vetme.
Ai është shumë simpatik, i ëmbël dhe me një pamje fëmijërore. Ai u shpërngul në Stamboll në vitin e fundit të shkollës së mesme. Më pas, qe në dilemë për të vazhduar Konservatorin apo të merrej me sport. Duke qenë se sporti zinte një pjesë të rëndësishme të jetës së tij, ai nisi Akademinë e Sportit në Kajseri, por gjatë vitit të parë nuk u përshtat me shkollën dhe u kthye në Stamboll. Ai është aktiv në sportet e notit, zhytjes, futbollit, basketbollit dhe hendbollit, siç do të shihni edhe në seritë në vijim të telefilmit “Dashuri me Qira”. Përpos këtyre, ai është i lidhur me Federatën e Sporteve Nënujore të Turqisë. Para se të bëhej i njohur, ka qenë roje bregdetare (baywatch) për tetë vjet rresht në Shile (një lagje në verilindje të Stambollit, buzë Detit të Zi). Numri i personave që aktori ka shpëtuar është më tepër se 1000, madje ai rrëfen një çast që nuk mund ta harrojë: “Ishte një grua me nipin e saj, të cilët nuk munda t’i arrija dot, u mbytën. U bëra shumë keq, më dilnin edhe në ëndërr, megjithatë, pas dy vjetësh e kalova.”
Ai ka marrë mësime aktrimi nga mjeshtër të teatrit dhe më pas ka marrë leksione në teatrin “Sadri Alishik”. Hapin e parë si aktor profesionist e ka hedhur në vitin 2011, me dy telenovelat “Zonjusha e vogël” (Küçük Hanımefendi) dhe “Më dëgjo, i dashur” (Dinle Sevgili). Më pas, ka luajtur edhe në telenovela të tjera.
Përpara telefilmit shumë të suksesshëm “Dashuri me qira”, ai ka luajtur në telenovelën “Krekosja” (Racon), një telenovelë e shkurtër, por që ai thotë se e ka ndihmuar shumë, duke e bërë të njohë më mirë detaje të industrisë së telenovelave. Pas saj, ai mori afro 12 oferta pune, ndër të cilat, edhe “Dashuri me qira”.
Meqë në Turqi femrat nuk zhvishen para ekranit, producentët dhe regjisorët kanë filluar të zhveshin meshkujt. Ndër ta, më i rëndësishmi ka qenë Barış Arduç, i cili është vlerësuar shumë për trupin e tij seksi dhe format e shkëlqyera. Vajzat e reja, më parë vraponin pas yjeve të popit, ndërsa tani rendin pas aktorëve të telenovelave dhe telefilmave. Aktori mundohet të bëjë foto me çdo fans të tijin, shumica prej të cilëve janë të rinj. Ai bën gati 400-500 selfie në ditë dhe është shprehur: “Është fantastike kur të tjerët të duan”. Gjatë pushimeve të verës ai ka zgjatur mjekrën dhe është shprehur se kjo është kërkesë e telefilmit “Dashuri me Qira”, sezoni i dytë i të cilit fillon më 23 shtator 2016.
Këtë verë, ai ka deklaruar se është shumë i lumtur në lidhjen me aktoren dhe skenaristen Gupse Ozaj (e cila është 3 vjet më e madhe se ai) dhe do të martohen së shpejti. Dy aktorët janë njohur gjatë interpretimit në filmin kinematografik turk “E çmendur” (Deliha) 2014.
Gjatë telefilmit “Dashuri me qira”, aktori ka nisur sportin e boksit, i cili i ka pëlqyer shumë, thotë se e qetëson dhe e ndihmon të shkarkojë energji. Gupse e thërret “Muhamed” pasi ai vesh edhe bluza me mbishkrimin Muhamed Ali.
Prej dy vjetësh, ai është ambasador vullnetar i Shoqatës për Jetesën pa Kancer, ku është përfshirë prej kushëririt të tij që ka marrë trajtim për kancer. Ai ka thënë se famën ka dashur ta përdorë për t’u bërë mirë njerëzve, duke u përfshirë në fushata të ndryshme bamirësie.
Telefilmi “Dashuri me qira”, ka thyer rekordet e shikueshmërisë. Me fitimet e marra prej tij, aktori ka hapur një biznes me të vëllanë, duke krijuar markën e tyre “ARDSTORE”, për aksesorë.
Barış Arduç ka fituar disa çmime, kryesisht për rolin e disenjatorit të këpucëve, Omerit, në telefilmin “Dashuri me qira”, por edhe në sajë të angazhimeve të tjera. Përveç këtyre, ka qenë imazhi i një marke veshjesh etj.