Gati dy vite më parë, një nga artistët më të veçantë të muzikës shqiptare, Françesk Radi, u nda nga jeta pas “luftës” me një sëmundje të rëndë. Bashkëshortja e tij, Tefta Radi, e cila është e njohur për punën në televizionin shqiptar, është duke përgatitur një libër në nder të tij.Ajo ka rrëfyer se çfarë do të përmbajë libri, që mesa duket do të jetë në formën e një autobiografie: “Libri do të jetë i veçantë edhe për nga mënyra se si do të vijë tek lexuesi. Do të lexojnë për jetën dhe krijmtarinë e kantautorit, nga histori të cilat i ka rrëfyer dhe i ka lënë të shkruara vetë ai”.
Por jo vetëm kaq. Në këtë libër, miq dhe bashkëpuntorë të afërt të Françesk Radit do të ndajnë kujtimet që kanë me artistin, gjatë periudhave të ndryshme. Një nga këto momente është dhe ai që kujton shkrimtari Shpend Sollaku Noe, e që e lidh këngëtarin e “Solla Pranverën” me Adriano Celentano-n.Sipas shkrimtarit, ai kishte pasur mundësinë të takonte Celentanon dhe t’i tregonte zërin e mrekullueshëm të Radit: “Më ra rasti, dikur, andej nga fundi i viteve ’90, t’i jepja të dëgjonte Adriano-s një cover të këngës “Susanna”, të interpretuar në italisht fillimisht nga Celentano. Ai, sipas mënyrës së vet komentoi: Po ky jam unë, domethënë, duhet të jem unë, domethënë, nuk jam unë por një që më duket më mirë sesa të isha unë. I tregova se ai që po dëgjonte ishte shqiptar, quhej Françesk Radi, një kantautor i shquar, që edhe e kish pësuar prej muzikës së tij në kohën e diktaturës. I premtova që do t’i dërgoja një CD të plotë të Françeskut tonë, porsa të më binte në dorë”.