Fill Foden i dhënë pas parashikimit të fatit/ Takohet me fallxhoren para EURO 2024

Showbiz Sport

Në letra mund të jetë shkruar se Anglia do të fitojë “Euro 2024”, por një gjë të tillë refuzoi ta konfirmonte fallxhorja të cilën ka vizituar Fill Foden dhe e dashura e tij përpara nisjes së turneut. Futbollisti më i mirë i Mançester Sitit dhe Premier Ligës në sezonin që lamë pas fitoi titullin e katërt radhazi me klubin, ndërsa 24-vjeçari pritet  të jetë një prej liderëve të skuadrës së Garet Sauthgejtit në Gjermani. Ai shpreson të mbyllë sezonin duke i dhënë fund pritjes 58-vjeçare të Anglisë për një triumf të madh në një turne dhe këtë nuk ia lë vetëm fushës. “The Sun” zbuloi se ai ka takuar një fallxhore bashkë me partneren e tij shtatzënë Rebeka Kuk vetëm disa ditë përpara se të nisej për në Gjermani.

Atij iu dha një letër tarot e cila lexohej nga Kloe Smith, por 25-vjeçarja këmbënguli në “Instagram” se ajo nuk do të zbulonte saktësisht se çfarë i tha Fodenit dhe Kuk: “Një lexim është personal dhe asnjë detaj nuk ndahet me dikë, qoftë nëse je një personazh i famshëm apo jo”, shkruante ajo. Nga ana tjetër, një burim tha për “The Sun” se Foden ishte shumë i interesuar ta dëgjonte nga fallxhorja emrin e skuadrës fituese, megjithëse nuk konfirmuan nëse i ishte thënë se ai do të prekte lavdinë në Gjermani. “Fill ishte po aq i etur sa Rebeka për të përfunduar leximin, veçanërisht me një turne kaq të madh në horizont”, raportohet për ‘ The Sun”. Mëtej u tha: “Shpresojmë që Kloe t’i ketë dhënë atij një përgjigje”!

Por çfarëdo që i është thënë Fodenit, ai dukej i befasuar nga rezultati. Foden, i cili pret fëmijën e tij të tretë me Kuk , ndodhet në Gjermani ndërsa përgatitet për ndeshjen hapëse të Anglisë në Europian, kundër Serbisë të dielën mbrëma. Mesfushori polivalent duket i sigurt se do të startojë për skuadrën e Garet Sauthgejtit pasi e dërgoi lojën e tij në një nivel tjetër gjatë 12 muajve të fundit.