«Familja Kuqézi, një komedi që nuk tall, por e bën spektatorin të gjejë veten te figura që ka përballë» Genti Kame rrëfen prapaskenat

Showbiz

kuqzetmnznz.jpg

Ai është kreu i familjes Kuqézi. Është rreth të dyzetave dhe e vuan pak, si të gjithë meshkujt që e kalojnë këtë moshë. Është një baba i përkushtuar, njeri i mirë, kujdeset për familjen, por ka edhe ai ato huqet e veta. I duket sikur është shtylla e familjes, por, në fakt është Bela ajo që komandon, jo Berti. Pavarësisht nga të metat, Albert Kuqézi është gjithnjë i vëmendshëm ndaj familjes. Të metat e tij janë pa dëme, por janë pjesë e tij, që si te çdo njeri tjetër, nuk i ndryshon dot kush. Këtu krijohet edhe konflikti i tij me familjen, fundja, si në çdo familje tjetër. Aq shumë ka hyrë Genti Kame në karakterin e Albertit, sa ndonjëherë duket sikur Alberti është Genti dhe Genti Alberti. “Ideja e autorëve dhe skenaristëve ka qenë që komedia të mos luhet, por të jetohet, – shpjegon Genti. – Duke qenë kështu, aktorët duhet të gjejnë vetveten te personazhet, qoftë edhe me cenet që kanë. Kështu, ne mundohemi të shfrytëzojmë reagimet tona personale, se si do të silleshim para një situate të caktuar.”

Serial-komedia “Familja Kuqézi” i qëndron larg groteskut, ekzagjerimit të figurës apo problemit të krijuar. Komikja krijohet me situata dhe me përpëlitjen e karakterit brenda tyre. “Produkti televiziv dhe audioviziv në Shqipëri është i vështirë për t’u realizuar, sepse mungojnë financat e nganjëherë edhe mjetet teknike, sidomos kur zgjasin në kohë, siç është ky serial. Duke qenë se xhirohet një seri në javë, kërkon shumë impenjim. Është zhanër i vështirë, por që komunikon me publikun, nxjerr në pah problemet; është një komedi që nuk tall, por e bën spektatorin të gjejë veten te figura që ka përballë. Përgjegjësia më e madhe këtu ka rënë tek ata që e shkruajnë, sepse është punë voluminoze; duhet të gjesh ide të reja çdo javë, por ne kemi pasur fatin të kemi në dorë skenarë shumëtë mirë, të cilët është kënaqësi t’i lexosh dhe pastaj t’i vësh në jetë. Duhet përshëndetur edhe impenjimi i platforms Tring, që na ka vënë në dispozicion kushte komode, që nga skenografia, procesi i punës, qoftë edhe nga ana teknike, që të ndihemi mirë kur të punojmë,” – përfundon këtë rrëfim aktori Kame. Ai është burri i familjes në serial, por autoriteti i tij nuk qëndron më poshtë edhe në sheshxhirim.

Çuditërisht, secili nga personazhet ka veshur pak nga petku i karakterit dhe teksa je brenda kësaj shtëpie gjatë një prapaskene pune, të krijohet ideja se ata janë një familje e vërtetë.

-640-0-5cab4f871a183.jpg

NGA: ELONA JAÇELLARI
FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ
ART DIRECTOR: ORI KAMBERI
MAKE UP ARTIST: NINA MYFTARAJ