Jeta e re e vajzës njëzetetetëvjeçare është mes vrullit metropolitan dhe maratonës së përditshme televizive. Stili i jetës së saj nuk i ngjan më aspak atij të Firences. Ai ndryshoi që kur la biçikletën për të marrë makinën, një zgjedhje e detyruar për të lëvizur në Tiranën kaotike. “Nuk hipja në makinë prej dhjetë vitesh, sepse në Firence përdorja biçikletën. Këtu e kam të pamundur të lëviz me biçikletë, sepse s’mund të dal nëpër rrugë e rregulluar si për në emision. Ka pluhur, bie shi, largësia bën të vetën. E bleva biçikletën sa erdha në Tiranë, por hoqa dorë kur kuptova që ishte e pamundur të lëvizja me të.
– Pavarësisht nga ky ndryshim i ri, Evi ka mbetur ajo vajza e thjeshtë, nuk kërkon medoemos vëmendje, ndaj është mjaftuar me një makinë të vogël e komode, e cila i bën punë. Vajzën e thjeshtë e sportive, që deri para pak muajsh lëvizte lirshëm, pa grim e me biçikletë, tani e shohim çdo ditë të grimuar e të kuruar, dhe ashtu siç e kërkon ritmi i Tiranës, edhe pak më shumë nëpër kafene. – Ndryshe nga Italia, këtu çdo muhabet i rëndësishëm bëhet në kafene.Madje edhe kontratat firmosen në kafene. Po e gjej veten pak më shpesh nëpër këto vende, sepse duhet të takoj njerëz. Për shkak të punës dhe projekteve të mia, takimet janë shpeshtuar”, – tregon Evi, në këtë rrëfim të sajin të parë kaq të gjatë. Gjithmonë ka preferuar të jetë e tërhequr nga vëmendja publike. Jeta jashtë vendit e ka ndihmuar shumë që të ruajë figurën e vet. Tani që është në Shqipëri dhe thuajse çdo ditë të javës në sytë e publikut, vështirë se do të mund ta fshehë veten nga “sytë e botës”.
Pjesë e jetës së re të Evit, janë edhe prindërit e saj. Pas dhjetë vjetësh e pavarur, tani ajo jeton me ta. Tregon se i ati dhe e ëma kanë qenë gjithmonë liberalë me të, që kur vendosi të shkëputej nga Athina për të jetuar në Firence dhe pastaj nga Firencja për të ardhur në Tiranë. “Babi ka qenë dakord që unë të kthehesha, kurse mami ka qenë më shumë ‘vendos vetë’, sepse më shihte më shumë në Itali, sesa këtu. Megjithatë, vendosa dhe një ditë u dhashë lajmin. Ata më mirëpritën, sigurisht. Kjo ishte gjëja më e çuditshme, sepse pas dhjetë vjetësh nisa të jetoja me prindërit. Janë shumë të qetë, nuk më vënë në presion. Gjëja e mirë është që i gjej të gjitha gati dhe që prej gushtit të kaluar, nuk e kam ndezur më vetë lavatriçen.”