Estela Ujka i ka emocionuar të gjithë sot me rrëfimin e saj të parë për vitin 2019-të, ku përveç angazhimit të ri në “Tier Classes”, ka rrëfyer edhe 2018-tën e saj dhe betejën e fituar me tumorin.
“Unë kam humbur mamanë nga e njëjta sëmundje, kështu që edhe nëse e dëgjoj nga miliona kilometra larg sigurisht që do të afektohem dhe do të më duket gjëja më e tmerrshme në jetë. Për fat të mirë tumori që unë u diagnostifikova nuk ishte nga ata më të këqinjtë, por kishte ngarkesën e vet dhe nëse nuk do të kryej operacioni mirë mund të kishte pasoja fatale. Njeriu tenton ta largojë të keqen edhe unë mund të them se me personalitetin që kam nuk fokusohem tek gjërat e këqija në jetë dhe me sa duket mendja punoi mirë pavarësisht sëmundjes dhe ngarkesës. Di që këtë sëmundjen për herë të dytë në familjen time, e përballuam vetëm ne të pestë dhe të pestë gjetëm forcë tek njëri-tjetri. Vajzat kanë ndihmuar në shtëpi me gatimin, bashkëshorti gjithashtu edhe unë kur shikoja këtë nuk është se e kisha shumë mendjen tek sëmundja. Gjithçka që doja ishte të ishim bashkë, të shijonim njëri-tjetrin dhe sëmundja kaloi dytësore. Për fat të mirë unë u operova dhe risku për jetën nuk ekziston më, të paktën me aq sa thanë doktorët. Por njeriu duhet të fokusohet vetëm tek gjërat e mira në jetë, pasi nëse bie pre e atyre të këqija nuk do ia dalësh ndonjëherë”.