Ema Savahl merr çmimin e madh në Miami

Showbiz

Ema Koja Savahl është një emër shumë i njohur në atelietë më luksozë të botës. Ajo e ka nisur rrugëtimin e saj në Miami në vitin 1996, mbas një dimri të vështirë në New York dhe mbas një dëmtimi në shpatull që e detyroi të largohej nga karriera e mëparshme si volejbolliste, të cilën e kishte nisur me ekipet italiane. Në vitin 1996 Ema filloi punën e parë në një dyqan rrobash të stilit Vintage, të cilat ajo u ofrua që ti rikonceptonte, duke krijuar fustane kontemporane nga veshjet vintage. Linda Evangelista, Cesare Paciotti dhe Ana Kournikova ishin disa nga njerëzit e famshëm që u dashuruan dhe blenë krijimet e saj. Kështu që, disa muaj pas mbërritjes në Amerikë, ende me vizë studenti, Ema kishte arritur që veshjet e saj të ekspozoheshin në Washington Avenue disa blloqe larg Versace-s.

24 vite pas, Ema Savahl është një emër i rëndësishëm i modës dhe atelieve botërore, një emër aq i madh saqë tashmë një ditë e vitit mban emrin e saj: 17 janari është dita e “Ema Savahl Couture, në Miami, Florida. Çmimi iu dha nga Kryetari i Bashkisë së Miamit, z. Dan Gelber cili tha që: “Dizajnuese Ema Savahl e ka dalluar veten si një udhëheqëse e suksesshme, vizionare e biznesit dhe si një humanitare e përkushtuar, ndërsa kompania që ajo krijoi ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në ekonominë e komunitetit tone. Për këtë arsye 17 janari është dita e Ema Savahl Couture!!!! “

Ema Savahl u vlerësua për merita të shumta dhe për një kontribut te pasur. Si një grua e zonja, e cila duke qenë pjesë e gjeneratës së parë të imigrantëve, ka dhënë në 23 vite një shembull pozitiv jo vetëm për gratë sipërmarrëse, por për të gjithë ata që duan të arrijnë ëndrrat e tyre. Ndërkohë që veshjet dhe dizajnet e saj, inspirojnë gratë që të kenë besim në vete, që të jenë të fuqishme dhe të pavarura, ajo është në radhë të parë si filantrope duke dhënë kontributin e saj për gratë në Miami, por dhe në të gjithë botën. Duhet të ndihemi krenarë, jo vetëm sepse tashmë 17 janari është dita e Ema Savahl, por se vajzat dhe gratë shqiptare, me punën dhe përkushtimin e tyre, na përfaqësojnë denjësisht dhe na bëjnë të ndihemi vazhdimisht krenarë.

Vitin e kaluar ne të Living patëm fatin ta kemi pranë dhe mësojmë nga përvoja dhe profesionalizmi i saj, për shkak të pjesëmarrjes së saj në emisionin Albanian Designer Competition, spektakli i vetëm shqiptar që i dedikohet modës dhe gjetjes së talenteve të reja.