Elton John ndërpret performancën: “Dhashë gjithë çfarë kisha”

Showbiz

Elton John-it iu desh të ndërpriste një performancë në Auckland, qytet në Zelandën e Re. 72-vjeçari nuk po ndihej mirë dhe pas koncertit të turneut “Elton Farewell Tour” njoftoi se vuante nga pneumonia.

“Dua të falenderoj të gjithë ata që morën pjesë në koncertin tim në Aucklan. Unë u diagnostikova me ‘pneumoni që ecën, por kisha vendosur të performoja,” shkroi John në Instagram. “Kam kënduar me gjithë zemër, derisa zëri im të mos mundej më. Jam i zhgënjyer, thellësisht i mërzitur. Dhashë gjithë çfarë kisha. Shumë faleminderit për mbështetjen.”

Me termin “pneumoni që ecën” – i cili nuk është një term mjekësor – njihet një formë jo aq e rëndë e pneumonisë, e cila është një infeksion serioz i mushkërive dhe ndodh kur qeset e ajrit në mushkëri mbushen me lëng ose qelb. Kjo e bën më të vështirë frymëmarrjen dhe pa trajtim, nivelet e oksigjenit mund të bien në nivele të rrezikshme për jetën.

“Pneumonia që ecën” shkaktohet nga një bakter i zakonshëm i quajtur Mycoplasma, i cili ka simptoma më të lehta se pneumonia duke përfshirë lodhje, dhimbje fyti dhe kollë.

Rreziku i kësaj sëmundjeje qëndron në faktin se një pjesë e mirë e njerëzve nuk e dinë se janë të prekur.