Kohët e fundit këngëtarja Elhaida Dani ka qenë e angazhuar me turin e saj nëpër vende të ndryshme të botës, për shfaqjen ‘Katedralja e Parisit’. Për shkak të gjithë angazhimeve, Elhaida është shkëputur disi nga muzika dhe kanë munguar produktet muzikore prej saj. Megjithatë duket se këngëtarja shumë shpejt do të rikthehet me një projekt të ri, madje me një bashkëpunim.
Në profilin e saj në ‘Instagram’ ajo ka publikuar një video të shkurtër, shkëputur nga kënga që pritet të publikohet në tetor. Kënga e Elhaidës do të jetë në bashkëpunim me Nathaniel, një këngëtar i ri i talentuar dhe i njohur në Australi. Elhaida ka zbuluar një detaj shumë interesant se dy këngëtarët pavarësisht se jetojnë në dy vende shumë të largëta, Kanada dhe Australi, kanë arritur të realizojnë këngën me njëri-tjetrin. Këngëtarja shqiptare këndon në gjuhën italiane dhe është e sigurt se kjo këngë do të rezultojë një bashkëpunim mjaft i suksesshëm.