Performancat e saj në skenë, zëri i fuqishëm, por edhe hitet ndër vite e kanë bërë Aurela Gaçen, të jetë padyshim një ndër artistet më të dashura për publikun.
Ajo ka sjellë përgjatë viteve këngë që janë shndërruar në hite dhe kanë fituar zemrat e publikut duke u kthyer në refrenin e tyre të preferuar. E ftuar në programin “Rudina” në TV Klan, ajo ka treguar detaje interesante nga kënga e re “Veten dua gjallë”, por edhe nga jeta e saj private.
Kënga e re e saj përcjell një mesazh të fuqishëm dhe Aurela Gaçe shprehet se nuk flet vetëm për dhunën fizike, por edhe atë psikologjike.
“Nuk besoj që ka familje shqiptare që nuk e ka provuar mbase jo vetë, por motra, shoqja, mikeshat, nëna, nuk besoj që ka. Nuk besoj që ka njeri imun, që nuk e ka parë të paktën. Më pyeti dikush në rrugë dhe më tha: E luaje sikur të të kishte ndodhur vetë? I thashë unë jam vajzë e rritur në këtë ambient, pse mendon se jam ndryshe nga ty? E kam parë gjatë jetës sime, kam njohur njerëz që edhe mund të kenë dashur të jenë të dhunshëm, paçka se unë mund të jem vajzë e fortë dhe mund të kem ikur nga kjo gjë. Por unë kam histori të mikeshave, të familjarëve të mi që kanë qenë pre e dhunës. Dua të theksoj se nuk bëhet fjalë vetëm për dhunë fizike, por edhe dhunë psikologjike që femrat, gratë, vajzat shqiptare kanë provuar sepse kemi të bëjmë me çuna që mendojnë se ajo vajzë që kanë në krah nuk vlen. Për t’u ndjerë vetë mirë, i mbushin mendjen asaj që ajo nuk vlen, ajo është asgjë pa atë. Edhe kjo është dhunë. Këtë lloj dhune, sigurisht duke u rritur e kam ndjerë edhe mbi shpatullat e mia, edhe me njerëz që thoshin, unë të dua, por po mos isha unë, ti je askushi. Ky është një presion psikologjik shpirtëror, se në momentin që unë nuk ndihem e zonja, unë jam asgjë pastaj.”