Dhjetori, muaji më i dashur për Eliona Pitarkën: Vazhdoj të gëzoj për festat njësoj si kur isha dhjetë vjeçe

Showbiz

livingelkj

Eliona Pitarka është vajza sharmante, të cilën e shohim çdo mbrëmje të së martës të përfshirë në situatat “kurthe” që shndërrohen në ngjarje komike tek “Apartamenti 2XL”. Jemi në dhjetor dhe ky muaj, sikur i vë asaj mbi krye një aureolë magjie. “Kemi hyrë në muajin e festave, në muajin e ditëlindjes sime dhe që fëmijë e kam përjetuar jashtë mase këtë periudhë. E filloj me 5 dhjetorin, ditëlindjen time dhe pastaj vazhdon gjithë muaji festë. Është e çuditshme, sepse vazhdoj të gëzoj njësoj si kur isha dhjetë vjeçe. Atmosfera më provokon shumë ndjesi të bukura, ka më shumë optimizëm këtë muaj, ka më shumë harmoni, njerëzit falin më shumë dashuri, dritat të përcjellin atë ngrohtësinë që e ndjen vetëm në këtë muaj.”

Përgjithësisht, Eliona zgjedh që këto festa t’i kalojë me familjen dhe njerëzit që do më shumë, por, sivjet, i ka rezervuar vetes edhe pushime dimërore romantike. “Mendoj që do të jenë me borë, kasolle, me oxhak dhe me verë. Kemi menduar ta organizojmë këtë me shoqërinë, por natën e Vitit të Ri nuk do të mungoj në familje. Do të jemi të gjithë bashkë: prindërit, motra më e vogël dhe vëllai. Më pëlqen ta festoj këtë datë me familjen, por as shoqërinë nuk e lë pas dore.”
Ndryshe nga pamja e saj engjëllore, Eliona ka diçka diabolike, që i del në pah sa herë që do të krijojë situata komike. Rikthimi i festave, i kujton prapësitë që ka bërë në të shkuarën. “Mbaj mend që kur ishim të vogla, një herë e deha motrën për festë. Ajo ishte diku te 14- vjeç, nuk kishte pirë kurrë dhe unë i jepja verë. E zuri gjumi në divan, u zgjua pas gjysmë ore, u shtri në tapet dhe filloi të gërricte me thonj përgjumësh. Është një skenë që s’kam për ta harruar kurrë. Kam bërë prapësi pa fund në fëmijëri. Kishte prindër që vinin i binin derës sonë për t’u ankuar te mami dhe babi se kisha rrahur ndonjë djalë. Këto ankesa ishin të përditshme”. Por, tani Eliona është zbutur, ka ndryshuar shumë. Vëmendjen e saj më të madhe në këto festa e merr zbukurimi i shtëpisë. Ajo është e vetmja në familje që kujdeset për këtë dhe përpiqet që çdo vit ta ndryshojë atmosferën festive, jo me prapësi, por me dekore të reja.

Nga Elona Jaçellari/Fotografia Armand Habazaj

Revista Living