Dalin në ankand syzet e John Lennon dhe fotot e Abbey Road

Showbiz

Një palë syze të rrumbullakëta me ngjyrë blu, dhënë nga John Lennon një burri që po vizitonte ‘Abbey Road Studios’, pritet  të dalin së shpejti në shitje. Syzet e stilit John Lennon, të cilat iu dhuruan burrit në vitin 1968, flitet se do të kushtojnë 3000 funte (deri në 3500 euro). Një koleksion fotografish të realizuara në studiot e famshme të regjistrimit të muzikës së legjendarëve “The Beatles”, duke përfshirë disa fotografi të shkrepura ditën e fotosesionit për kopertinën e albumit të tyre duke ecur nëpër një vendkalim për këmbësorët, janë gjithashtu në shitje, është raportuar nga BBC.

Artikujt do të shiten në ankand më 31 korrik në ‘Farleigh Golf Club’ në Surrey. Një zëdhënës i Catherine Southon Auctioneers & Valuers tha se syzet iu dorëzuan një burri nga vetë Lennon. “I riu pa syzet e shtrira në piano dhe shkoi t’i merrte, por e dashura e tij e atëhershme i tha t’i linte, ndërsa Lennon ishte përgjigjur: Është në rregull, ai mund t’i marrë ato’“. .Koleksioni i 33 fotografive bardh e zi të realizuara në Abbey Road do të shitet me të drejtën e autorit për rreth 200 deri në 300 funte (rreth 350 euro). Ai përfshin imazhe të Paul McCartney, George Harrison, George Martin dhe Ringo Starr.