Conte i acaruar me gjyqtarin, trajneri i Interit nuk pranon humbjen me Barcelonën

Showbiz

U duk se gjithçka do të shkonte në mënyrën më të mirë të mundshme për Interin, teksa zikaltrit e panë veten në avantazh ndaj Barcelonës pas vetëm 3 minutash lojë. Goli i Lautaro Martinez, por edhe loja e mirë e shfaqur nga skuadra italiane në pjesën e parë të sfidës së luajtur në ‘Camp Nou’, krijuan iluzionin se të besuarit e Antonio Contes do të merrnin një rezultat pozitiv. Por dy-golëshi i Luis Suarez në pjesën e dytë do të përmbyste çdo gjë. Por Conte duket se e ka të vështirë ta pranojë këtë humbje të skuadrës së tij dhe tekniku italian ‘e drejton gishtin’ nga gjyqtari kryesor i ndeshjes, Damir Skomina. Trajneri i Interit u shpreh se ndeshja pati shumë episode të cilat ai nuk i pëlqeu.


“Pati shumë gjëra që nuk më pëlqyen, madje që nga fillimi i ndeshjes. Arbitrat kanë të shkruar fjalën ‘respekt’ në fanellat e tyre dhe kjo ishte e vetmja gjë që kërkova prej tyre gjatë sfidës. Ata duhet të respektojnë përpjekjet e lojtarëve. Duhet të respektojnë të dyja skuadrat njësoj.” Conte shtoi se ajo çfarë e zhgënjen më shumë është fakti se bëhet fjalë për një nga ata që konsiderohet si ndër arbitrat më të mirë në botë, i cili ka gjykuar finalen e ‘Champions League’-ës. Për të mbyllur kritikat e tij për gjykimin e ndeshjes, 50-vjeçari deklaroi se do të donte që sfidën ta kishte marrë përsipër një tjetër arbitër, dikush që sipas tij, ndryshe nga Skomina, nuk do të ndikohej nga presioni i ‘Camp Nou’-t. Humbja 2-1 me Barcelonën ishte disfata e parë që Interi i Contes merr për këtë sezon. Dështimi në Katalonjë komplikon edhe më shumë shanset e zikaltërve për të kaluar në fazën tjetër të ‘Champions League’. Gjatë ndeshjes me ‘blaugranat’, Conte u ndëshkua me karton të verdhë nga Skomina, pikërisht për shkak të protestave të shumta të teknikut italian.