Burcu Özberk, pas sukseseve të njëpasnjëshme ndër vite, me të cilat u bë mjaft e dashur për publikun e Tring, kohët e fundit arriti të realizojë një partneritet mjaft të suksesshëm në një komedi romantike me kolegun e saj İlhan Şen.
Fakti që në projektet ku ajo ka marrë pjesë, mbizotërojnë veprat e kësaj gjinie, e gjithashtu fakti që ajo më herët është vlerësuar si aktorja më e mirë në zhanrin komedi romantike, janë faktorë që kanë ndikuar në suksesin e saj por edhe shikueshmërinë e lartë dhe pëlqimin nga ana e publikut.
Në intervistën e fundit, Özberk ka folur mbi ecurinë e projektit me të cilin i prezantohet shikuesve së fundmi. Ajo tregoi se pas përfundimit të xhirimeve finale, dëshiron të bëjë pak pushim para se të angazhohet me një tjetër projekt.
Ozberk tregoi se pavarësisht nevojës për një pauzë të shkurtër, ka qenë dhe do të mbetet një prej aktoreve të cilët preferojnë të punojnë edhe gjatë verës. “Për mua, çfarë ka vërtetë rëndësi, është që të gjithë ta mbarojnë punën duke u përqafuar me njëri-tjetrin, pa hatërmbetje dhe krenarë, që ja dolëm! Personalisht ndjej se dua të punoj përsëri me ata njerëz.”- U shpreh me fjalë të sinqerta aktorja për ekipin me të cilët ndan sheshxhirimin dhe punën për projektin aktual.