Javët e fundit ka ndodhur një incident i pakëndshëm mes aktorëve Burak Deniz dhe Nilperi Şahinkaya. Aktorja, e cila kujtohet si Nevini në serialin “Jetë e Re” apo personazhi i Xhansusë në serialin “Molla e Ndaluar”, është mësuar se qëndronte në Adana në të njëjtin hotel së bashku me të dashurin e saj Emre Yusufi, por është ofenduar nga kolegu i saj.
Ndonëse pas ngjarjes, Deniz përmes një deklarate publike në rrjetet sociale i ka kërkuar falje, kundër tij mësohet se është ngritur një padi. Në deklaratë aktori shprehej: “Dëshiroj t’i kërkoj falje aktores Nilperi Şahinkaya dhe miqve të saj, si dhe të gjithëve që ishin dëshmitarë të ngjarjes atë natë, pasi në sytë e publikut me sjelljen time nuk isha një shembull i mirë. Shpresoj që kjo pakënaqësi të marrë fund së shpejti. Përshëndetje Burak Deniz!”
Mirëpo aktorja nuk e ka pranuar faljen e kolegut të saj dhe mësohet se çështja është çuar në organet e drejtësisë për shqyrtim. Lidhur me incidentin e pakëndshëm është pyetur edhe modelja Didem Soydan, e dashura e aktorit të famshëm, e cila ka refuzuar të flasë duke argumentuar se nuk i pëlqente të përfshihej në çështje që nuk i përkisnin.