“Treshat”, një program i moderuar nga tri personazhe të njohura, Bora dhe binjakët Donald e Romeo Veshaj, goditi në shenjë. Erdhi si një format ndryshe, që përveç humorit, talk show-t, rubrikave zbavitëse, na bëri edhe të reflektojmë mbi atë që ndodh përreth nesh. “Pritshmëritë tona për këtë program u tejkaluan. Na rezultoi më mirë seç e kishim menduar, aq më tepër në një sezon veror kur nisëm ne, që siç dihet, njerëzit shpërndahen me pushime dhe nuk janë para televizorit. Megjithatë impakti ishte i jashtëzakonshëm. Ishim burimi kryesor i lajmit për të gjitha portalet. Klikimet në You-Tube i kemi pasur shumë të larta në krahasim me emisionet e tjera. Një skeç në YouTube për një muaj arrinte 400 mijë shikime”, – tregon bashkëprezantuesja e “Treshave”.
Pas shumë përvojave televizive, të cilat e kanë rritur jo vetëm profesionalisht, Bora Zemani është gati të hedhë një hap të ri, por që këtë herë nuk ka të bëjë me televizionin.
Së shpejti, do të kemi në treg një linjë veshjesh të markës së saj. “B.Zzz by Bora Zemani” do të jetë një linjë veshjesh unike, në stilin street style. Bora ka zgjedhur të godasë jo vetëm me krijimin e një linje shumë të veçantë, por edhe me emrin dhe logon; kjo e fundit është një bletë. Inicialet e Borës tingëllojnë si zukatja e një blete dhe vetë karakteristikat që Bora ka si një vajzë punëtore dhe bashkëpunëtore e mirë në grup, e lidhin kaq bukur me imazhin e bletës.
“Jam në një periudhë shumë të ngarkuar, por kjo nismë e re që po ndërmarr, është diçka që e pëlqej shumë. Ata që më njohin mirë, e dinë se si vishem në përditshmëri. Jam tip sportiv dhe më pëlqen shumë rehatia në veshje, ndaj ideja ime kryesore ishte që të hapja një linjë veshjesh ku të dukesh bukur, por edhe të ndihesh shumë rehat me to. – Veshjet e linjës së prodhuar enkas për sipërmarrjen e Borës, do të jenë përfaqësimi i një stili ndryshe nga çfarë kemi parë deri më sot për të bukurën, sepse do të kenë rehatinë e veshjeve sportive, por që në fakt do të duken më shumë se kaq: do të jenë të bukura, të rehatshme, me shumë stil dhe dizajne të ndryshme. – Kur m’u ofrua moderimi në ‘Albanian Designers Competition’, gjëja e parë që më bëri përshtypje, ishte fakti se isha pikërisht në momentin kur po mendoja të hapja sipërmarrjen time, që gjithashtu ka të bëjë me modën. E mora si një shenjë, që duhej ta realizoja idenë time. Sigurisht që edhe “ADC”-ja më ndihmoi t’i shihja gjërat pak ndryshe dhe ta formoja më mirë idenë time fillestare për këtë sipërmarrje.”
Një sipërmarrje ndryshe, “B.Zzz by Bora Zemani”, por që do të godasë edhe këtë herë. Ajo do të jetë krijuesja e një marke të re veshjesh shqiptare, mbi të gjitha të ofruara me një stil ndryshe. Bora është në hapat e pare të krijimit të sipërmarrjes së saj, një nismë që ajo po e ndan për herë të parë me lexuesit e revistës “Living”. E ndërsa presim me padurim të vishemi me markën më të re shqiptare, krijuar nga prezantuesja e njohur, do të shijojmë gjatë praninë e saj në ekran. E ndarë mes modës dhe humorit, prania e Bora Zemanit është gjithmonë vlerë për televizionin shqiptar. Ajo është vajza që e ka ndërtuar emrin e saj me shumë këmbëngulje dhe pasion të patjetërsueshëm. Tani është koha që frytet e punës së Bora Zemanit të mos i shijojë vetëm ajo, por të gjithë ne nga pak, si shikues, e pse jo, edhe si klientë të markës së saj.