Pas shumë përvojave televizive, të cilat e kanë rritur jo vetëm profesionalisht, Bora Zemani është gati të hedhë një hap të ri, por që këtë herë nuk ka të bëjë me televizionin.
Së shpejti, do të kemi në treg një linjë veshjesh të markës së saj. “Be_Bzz by Bora Zemani” do të jetë një linjë veshjesh unike, në stilin street style. Bora ka zgjedhur të godasë jo vetëm me krijimin e një linje shumë të veçantë, por edhe me emrin dhe logon; kjo e fundit është një bletë. Inicialet e Borës tingëllojnë si zukatja e një blete dhe vetë karakteristikat që Bora ka si një vajzë punëtore dhe bashkëpunëtore e mirë në grup, e lidhin kaq bukur me imazhin e bletës.
E nëse po pyesni veten si mund të duket një kostum sportiv nga kjo markë, kjo është fotoja e parë që Bora ka postuar veshur me Bzzz , pikërisht në ditën e lindjes.
Gjithashtu ka hapur faqen në Instagram ku shumë shpejt do të reklamojë veshjet e me shumë mundësi do të ofrojë dhe shërbimin e shitjes online. Ndërkohë numrin e shkuar të revistës Living, ku Bora ishte në kopertinë u shpreh në këtë mënyrë për nismën e saj më të re:
“Jam në një periudhë shumë të ngarkuar, por kjo nismë e re që po ndërmarr, është diçka që e pëlqej shumë. Ata që më njohin mirë, e dinë se si vishem në përditshmëri. Jam tip sportiv dhe më pëlqen shumë rehatia në veshje, ndaj ideja ime kryesore ishte që të hapja një linjë veshjesh ku të dukesh bukur, por edhe të ndihesh shumë rehat me to.
Veshjet e linjës së prodhuar enkas për sipërmarrjen e Borës, do të jenë përfaqësimi i një stili ndryshe nga çfarë kemi parë deri më sot për të bukurën, sepse do të kenë rehatinë e veshjeve sportive, por që në fakt do të duken më shumë se kaq: do të jenë të bukura, të rehatshme, me shumë stil dhe dizajne të ndryshme. – Kur m’u ofrua moderimi në ‘Albanian Designers Competition’, gjëja e parë që më bëri përshtypje, ishte fakti se isha pikërisht në momentin kur po mendoja të hapja sipërmarrjen time, që gjithashtu ka të bëjë me modën. E mora si një shenjë, që duhej ta realizoja idenë time. Sigurisht që edhe “ADC”-ja më ndihmoi t’i shihja gjërat pak ndryshe dhe ta formoja më mirë idenë time fillestare për këtë sipërmarrje.”