Sapo ata shfaqen në ekran, audienca i mirëpret dhe i duartroket gjatë! Edhe pse vëllezër binjak, me profesione të njëjta, por me karaktere të ndryshme, ata janë dy personazhet publik shqiptar shumë të dashur për publikun. Kur thua Romeo dhe Donald Veshaj ke thënë automatikisht dy aktorë të suksesshëm humori që grintën e kanë në gjak.
Por, me sa duket skena nuk është i vetmi terren i tyre i sigurt, ku ata prej vitesh po investojnë bindshëm. Sipërmarrja e tyre më e re, është surprizë sa për ju, por aq edhe për ne! Romeon dhe Donald Veshajn, prej disa ditësh, nëse nuk i gjeni në provat e “Al Pazar”, me siguri i gjeni në ambientin më të ri që i është shtuar kryeqytetit. Ata kanë hapur së fundmi një lokal, i cili është sipërmarrja më e re, e menaxhuar dhe krijuar totalisht nga dy vëllezërit. Prej kohësh Romeo dhe Donaldi e kanë patur idenë për të hapur një biznes të tillë, por duket se momenti i përshtatshëm ishte pikërisht tani.