Supermodelja Bella Hadid ka vendosur të tërhiqet nga karriera e saj magjepsëse dhe të bëjë një jetë të re në Teksas së bashku me partnerin e saj, Adan Banuelo. Pas dhjetë vitesh në industrinë e modelingut, Hadid duket se ka kuptuar se ndoshta ka ardhur koha t’i japë përparësi mirëqenies shpirtërore dhe psikologjike mbi karrierën e saj. Në një intervistë me revistën ‘Allure’, ajo ka shpalosur pa ndrojtje dëshirën për ndjenjën e lirisë dhe autenticitetit.
Bukuroshja shprehu se si jeta e saj në Teksas ndryshon nga përvojat e saj të së kaluarës dhe ka theksuar rëndësinë e kalimit të kohës me miqtë e vërtetë dhe fokusimit në kujdesin për veten. Vendimi i Hadid për t’i dhënë përparësi mirëqënies së brendshme vjen pas luftës së saj të heshtur me sëmundjen ‘Lyme’ dhe disa çështje të tjera shëndetësore gjatë vitit të kaluar.
Pavarësisht suksesit të saj të mëparshëm në industrinë e modës, ajo zbuloi se kërkesat e modelingut nuk po e përmbushnin atë në nivel personal. Duket se zhvendosja në Teksas i lejon më tepër mundësi dhe hapësirë asaj të nisë një kapitull të ri. Ajo e përshkruan kohën e saj në Teksas si “kohën më të mirë”, duke theksuar gëzimin e lidhjeve të vërteta dhe lirinë për të qenë vetvetja pa presionin e mbajtjes së një imazhi të kuruar gjatë gjithë kohës. Ky ndryshim në perspektivë duket se i ka sjellë asaj një ndjenjë të re të lumturie dhe kënaqësie që vetëm pasarelat më të njohura të modës nuk kanë mundur tja falin.