Kush i ka ndjekur me kujdes performancat e Bebe Rexhë-s, padiskutim që do ju ketë tërhequr vëmendjen aksesori që ajo mbante shpesh në qafën e saj. Gjerdani me emrin “Bebe” ishte diçka me të cilën identifikohej këngëtarja me origjinë shqiptaren dhe ishte edhe shumë e shtrenjtë për të. Por tani me shumë mundësi nuk do mund t’ia shohim më sepse mesa duket dikush ia ka vjedhur.
Këngëtarja e hitit “I’m a mess” ka bërë një status në llogarinë e saj në twitter ku ka njoftuar se varësen e saj të shtrenjtë ia kanë vjedhur në aeroport. “Dikush më ka vjedhur varësen time “Bebe”, më është thyer zemra”- shkruan ajo në twitter. Më pas në një tjetër postim Bebe ka një kërkesë për të gjithë ndjekësit e saj. “Nëse dikush e sheh varësen time duke u shitur në internet, ju lutem më lajmëroni. Mos e bleni atë”- përfundon këngëtarja.