Artistët shpesh shprehen se dashuria që marrin nga fansat është forca më e madhe që i shtyn të vazhdojnë punën dhe të japin maksimumin e tyre. Kemi parë që personat që i adhurojnë të bëjnë gjithçka për personazhet e famshëm, por është e vështirë që të gjesh dikë që dokumenton prej vitesh çdo moment të rëndësishëm të idhullit të tij. Aurela Gaçe ka pasur fatin të gjejë një fanse të tillë, e cila e ka emocionuar pa masë me dhuratën simbolike, që dëshmon gjithë dashurinë e saj për këngëtaren. Artistja e njohur ka publikuar në ‘Instagram’ një video të një fletoreje, në të cilën një vajzë ka ngjitur çdo artikull dhe foto gazete të Aurela Gaçes. Disa prej tyre shihet se janë shkëputur që nga viti 1998 dhe është për t’u vlerësuar fakti që ajo i ka ruajtur kaq mirë kujtimet e idhullit të saj.
“E shikoni këtë fletore ? Këtu e në disa të tjera, një vajzë që quhet Suela, shkëpuste çdo artikull gazete, foto revistash ku mund të shfaqesha unë, dhe me shkrim dore, shkruante tekstet, artikujt e gjithçka fare mund të gjente …atëherë s’kishte as ‘Facebook’ as ‘Instagram’, nga ku mund të bëheshin dedikime si sot dhe ajo me dashuri ka ndjekur çdo hap timin në skenë duke e vendosur nëpër këto blloqe fletoresh. A thuhet faleminderit mjaftueshëm për njerëz që të dedikohen në këtë mënyrë? Përpara disa javësh më në fund pati mundësinë të më ndiqte ‘live’ bashkë me familjen e saj. Arrita t’i them faleminderit disi, por përsëri më duket jo mjaftueshëm sidomos kur di që ky përkushtim i saj ka qenë qysh në fillimet e mia”, ka shkruar Aurela bashkangjitur videos. Përpara dhuratave të tilla kaq domethënëse, çdo gjë tjetër e humb vlerën, ndaj kushdo tjetër në vend të Aurelës do e kishte po njësoj të vështirë të gjente fjalët e duhura për të falenderuar.