Disa ditë më parë u bë e ditur se për paraqitjen e këngëtares Jonida Maliqi në ‘Eurovision’, do të kujdesej stilisti i njohur, Ardi Asllani.Ka qenë vetë këngëtarja e cila e ka treguar me anë të disa postimeve në ‘Instagram’, se puna për përgatitjet e festivalit ka filluar dhe se tashmë është duke xhiruar videoklipin e këngës përfaqësuese ‘Ktheju tokës’.
Krahas gjithë ngarkesës, Ardi ka zgjedhur të publikojë një foto me Jonidën, ku ka shkruar disa fjalë për bashkëpunimin me të: “Ka një energji pozitive dhe shumë kimi kur punojmë bashkë, ndoshta vjen si pasojë e besimit reciprok dhe dashurisë së fortë. Mbarë më tej”, duke treguar dhe njëherë frytet pozitive të punës së tyre të përbashkët.Ndonëse xhirimet e videoklipit sapo kanë nisur, të gjithë ndjekësit e Jonidës janë shumë kureshtarë se si do të jetë pamja e saj në këtë projekt kaq të rëndësishëm muzikor.