Një vit më parë, modelja e njohur kurorëzoi dashurinë e saj me biznesmenin rumun Dragos Savulescu. Përgjatë këtij viti, ne kemi parë nëpërmjet rrjeteve sociale pushimet e panumërta, dhurata apo jetesën luksoze të bukuroshes shkodrane. Ndërkaq, e vetmja gjë që dinim për të, ishte se kishte hequr dorë përfundimisht nga modelingu dhe “po shijonte jetën”. Por, ja që Angela, përgjatë këtij viti, vërtet ka hequr dorë nga modelingu, por ama i ka “përveshur mëngët” në një tjetër drejtim. Jo vetëm që nuk ka bërë pushime përgjatë gjithë vitit, por përkundrazi, këtë vit Angela ka punuar më shumë se kurrë. Ajo ka ndërmarrë sfida të reja të cilat shpreson se do rezultojnë të suksesshme.
Së fundmi, modelja ka zbuluar se ka punuar mbi dy dokumentarë, në rolin e producentes.Të dy dokumentarët do të shfaqen përgjatë këtij viti, ndërkohë që Angela është duke punuar mbi të tjera produksione. Ndërsa surpriza më e madhe, është ajo çka Angela ka mbajtur “të fshehtë” për plot dy vite. Modelja ka zbuluar se së shpejti do të publikojë një libër, të cilin ka dy vite që e shkruan dhe përpunon. Në libër do të jetë një pjesë e jetës së saj, por kryesisht jeta e mamasë së saj, mes sakrificave dhe betejave për t’ia dalë mbanë.