Ndryshe nga të gjithë, Albano nuk i ka qejf fare festat. Për të, Viti i Ri nuk ka asnjë kuptim, përveç faktit se i duhet të ndërrojë fletën në kalendar. “Unë nuk i kam shumë qejf festat, – tregon ai. – As Krishtlindja, as Viti i Ri, nuk më pëlqejnë. Për mua kjo periudhë vjen si të gjitha të tjerat. Më duket sikur është maj, nuk ka asnjë ndryshim. Edhe në fëmijëri, gjithmonë e kam urryer, sepse më duket një datë kot në kalendar. Fakti që po ikën edhe një vit, nuk më jep asnjë motiv për të festuar. Në fund të fundit, jemi vetëm një vit më shumë drejt vdekjes. Kjo date mund të vijë si një shpërqendrim, por mua nuk më pëlqejnë shpërqendrimet, sepse jam njeri me këmbë në tokë dhe dua të shoh se çfarë ndodh rreth meje, si rrjedh koha, si zhvillohen ngjarjet e si ikën jeta. Reflektoj shumë dhe shkruaj mbi këto reflektime. Po shkruaj një roman. Së shpejti dua ta botoj. Është një roman ku shkruaj për përndjekjet që u bëhen femrave në Shqipëri.”
Albano Bogdo, një nga personazhet më karizmatikë të “Apartamenti 2XL”, jeton me të ëmën, motrën dhe vëllanë. Ai thotë se në familjen e tij, si kudo, festohet, por ai nuk është kurrë entuziast për këtë. “Feston familja, bën ato gjërat e zakonshme. Unë rri aty, s’është se iki nga shtëpia, por as nuk kam ndonjë entuziazëm të veçantë.” Sigurisht që edhe këto festa do ta gjejnë Albanon mes tyre, por, ditët e pushimit ai do të zgjedhë jo për të festuar, por për të shkruar.
NGA Elona Jaçellari FOTOGRAFIA: Armand Habazaj
Revista Living