E kemi ndjekur në Tring Action me “Lucy” apo në Tring Fantasy me “The Avengers – Hakmarrësit”, Scarlett Johansson është padyshim një nga aktoret më të dashura për publikun në të gjithë botën. “Black Widow” ose “Vejusha e Zezë” pritet të ketë filmin e saj të parë vitin që vjen dhe kjo është një fitore e madhe jo vetëm për atë si personazh i “Marvel” dhe “Avengers” por dhe për aktoren që e luan.
Scarlett Johansson do të fitojë nga filmi aq sa kanë fituar dhe kolegët e saj meshkuj për rolet e superheronjëve. Po, ajo do të paguhet për “Black Widow” njësoj siç është paguar Chris Evans për “Captian America” dhe Chris Hemsworth për “Thor” duke arritur kështu atë që asnjë aktore tjetër nuk e ka pasur mundësi ta arrijë më parë.
Barazia gjinore për sa i përket fitimeve në Hollywood ka qenë dhe është një çeshtje delikate. Sipas “The Hollywood Reporter” Johansson do të marrë rreth 15 milionë dollarë për projektin e ri kinematografik duke u barazuar me yjet e tjerë të botës së fantazisë “Marvel”. Kjo e fundit në fillimet e projekteve për filmat e superheronjëve u tregua dorështrënguar përsa i përket pagave. Kujtojmë që Robert Downey Jr pranoi të merrte vetëm 500 mijë dollarë për filmin e parë të “Iron Man”, ndërsa tani ai paguhet për çdo film mbi 50 milionë dollarë. Por ndërkohë që Robert mbetet më i paguari nga të gjithë sepse i sjell më shumë fitime kompanisë, Scarlett duket se po merr shpërblimin që meriton.