Aktorët turq të cilët janë me origjinë shqiptare

Showbiz

Serialet turke po pushtojnë gjithnjë e më shumë botën dhe për këtë ka fakte. Për aq kohë sa komentohen gjerë e gjatë dhe transmetohen vazhdimisht në televizionet shqiptare, sigurisht që rritet edhe interesi për aktorët më të përfolur të kinemasë turke.

Kivannc Tatlitug lindi në Adana, qytet në Turqi, dhe gjatë një interviste, deklaroi se i ati ishte shqiptar nga Prishtina. Kivanç, i cili njihet si Brad Pitt i kinematografisë turke, është një nga aktorët më të paguar në Turqi dhe një ndër më të vlerësuarit. Që prej vitit 2002, Tatlitug ka fituar pothuajse të gjitha çmimet ku është nominuar, si “Aktori më i mirë”, “Aktori më i mirë i vitit”, “Aktori më i suksesshëm i vitit”, “Aktori më i preferuar në serialet televizive” etj.

Halit Ergenç, i njohur më së shumti përmes rolit të tij në serialin e famshëm “Sulejmani i Madhërishëm”, ka lindur në Stamboll. Gjyshja e tij ishte me origjinë shqiptare dhe gjatë një interviste aktori u shpreh: “Mund ta them me plot gojën se në damarët e mi ka gjak shqiptari.”

Engin Altan Duzyatan lindi në Izmir, Turqi, por familjarët nga ana e babit kanë qenë emigrantë shqiptarë nga Prishtina, ndërkohë që pjesa tjetër janë emigrantë turqë nga ish-Jugosllavia. Në mediat turke, Duzyatan nuk e ka mohuar origjinën shqiptare, duke u shprehur se ka një lidhje të fortë me Shqipërinë. Aktori fitoi famë përmes rolit të tij në serialin e famshëm “Ertugrul”, në të cilin luajti nga 2014 deri në 2019-n.

Can Yaman, me profesion avokat, është aktor i njohur në Turqi, i cili lindi në Stamboll, por ka origjinë shqiptare. Gjyshi i tij nga i ati ishte emigrant shqiptar nga Kosova, ndërkohë që gjyshja emigrante nga Maqedonia e Veriut. Aktori fitoi famë përmes rolit në serialin “Ekenci Kus”.

Baris Arduç ka lindur në Zvicër në një familje me origjinë shqiptare. Origjina e familjes së nënës së tij është nga Vlora. Baris u transferua në Turqi në moshën 8-vjeçare. Ai fitoi famë përmes serialit “Dashuri me qira”.  “Kuzgun”, në të cilin ka rol protagonist, është një tjetër serial i suksesshëm turk.