Ai donte të jetonte të paktën 150 vite…/ Sot bëhen pesëmbëdhjetë vjet që legjenda e popit Michael Jackson nuk jeton më!

Showbiz

Kanë kaluar 15 vjet nga dita që shkëlqimi  ylli i  popit Miachel Jackson u largua nga kjo botë. Mbështetur nga talenti i tij i pashoq, karizma e jashtëzakonshme dhe një ndjeshmëri njerëzore që e dallonte, ai la gjurmë të paçmueshme në industrinë e muzikës dhe kulturën pop. Ky gjeni muzikor lindi më 29 gusht 1958, në Gary, Indiana. Qysh në moshë të vogël, ai doli në skenë si lider i grupit “The Jackson 5”, duke impresionuar botën me zërin e tij të veçantë dhe energjinë e pashtershme. Albumi i tij debutues solo, “Off The Wall (1979), prodhuar nga Quincy Jones, ishte një sukses absolut që shënoi fillimin e një karriere të jashtëzakonshme për të, e cila mbetet ‘e gjallë’  edhe sot përmes hiteve të tij të pavdekshme. Nga muret e ngushta të dhoimës së tij te skenat më të mëdha botërore, ai do të habiste botën dhe do të bënte që një ditë të gjithë të flisnin për të. Katherine dhe Joe Jackson ishin prindërit e Michael dhe ai ishte fëmija i tetë nga 10 fëmijët e tyre. Ai u rrit në një familje mesatare me dy dhoma gjumi, ku duhej të ndante shumicën e gjërave të tij me vëllezërit e motrat. Për shkak të ndikimit të të dy prindërve, fëmijët Jackson u rritën të gjithë të ndikuar për të punuar në industrinë e artit. Në një moment të caktuar, Michael u bë më i njohuri midis vëllezërve dhe motrave, gjë që bëri që ai një ditë të debutonte si artist solo. Gjatë fëmijërisë së tij, Michael e kalonte çdo ditë me muzikën.

Babai i Michael ishte abuziv ndaj tyre kur ata ishin  ende fëmijë. Ndërsa Michael rritej, ai e detyronte atë  së bashku me motrat e vëllezërit  të praktikonin muzikën.Shpesh madje i godiste dhe ushtronte dhunë ndaj tyre nëse luanin notën e gabuar ose nëse bënin ndonjë gabim, pavarësisht qëllimit të tij të mirë për ti mbajtur ata larg rrugëve dhe bandave kriminale. Babai i tij e prezantoi këtë qëndrim ndaj familjes gjatë gjithë kohës.  Si rezultat, rritja në këtë mënyrë e detyroi Michael të ishte më i miri në atë që bënte duke i shkaktuar atij shumë presion mendor.

 

Bazuar në përvojën e tij, ai zhvilloi një frikë të fortë ndaj babait. Në një intervistë të hershme me Shmuley Boteach, ai rrëfeu se kishte frikë nga babai  edhe në jetën e tij si i rritur gjersa shpesh i binte të fikët në praninë e tij. Ai pati fëmijëri e rrëmbyer. Sipas këngëtarit të ndjerë, pavarësisht se donte të kishte marrëdhënie të mira me të atin, ai nuk mundi ta kalonte traumën që i kishte shkaktuar i ati. Pavarësisht se Joe Jackson më vonë i kërkoi falje, Michael nuk mundi ta falte atë. Në vend të kësaj, vazhdoi t’i qëndronte larg.

Kohë më vonë kur dyert e famës dhe suksesit kishin filluar  të hapeshin për të, Ferma e Michael Jackson ishte shndërruar në një park gjigand dhe strehë kafshësh ekzotike Ferma quhej Neverland, sipas vendit imagjinar ku jeton Peter Pan. Kjo Pronë kishte sipërfaqen e 3000 hektarëve (12, 14 kilometra katrorë).

Gjersa mendohet se ai mund të kishte paguar diku nga 17 deri në 30 milionë dollarë, sot ferma e tij vlen 100 milionë dollarë. Disa njerëz mund të mendojnë se ajo ishte një shtëpi ëndrrash, e të tjerët mund të mendojnë se ishte pak e çuditshme. Në fermën e tij, kishte një kopsht zoologjik me shumë kafshë, duke përfshirë dy lama shumë të veçanta të cilave ai iu kishte vendosur emra, ato quheshin Lola dhe Louis. Ylli më ndritshëm i asaj epoke të muzikës kishte një dashuri të madhe për kafshët. Ishte i njohur për mbledhjen e kafshëve duke përfshirë minjtë, qentë, strucat, gjirafat, shimpanzetë, lamat, gjarpërinjtë, bretkosat, lepujt e edhe më shumë.

Madje pak e dine se Michael ishte i dhënë edhe në koleksionimin e merimangave. Në vitin 1991, atij ju dhurua një elefant aziatik nga aktorja Elizabeth Taylor, pasi ai e lejoi atë të organizonte dasmën e saj në fermën e tij. Jackson e pagëzoi elefantin që peshonte rreth 2268 kg me emrin Cigan. 

Aspirata e Jackson për jetëgjatësi nuk ishte thjesht një mendim kalimtar, ishte planifikuar dhe zbatuar me përpikëri. Ai kishte dashur të jetonte për të paktën 150 vjet. Për ta arritur këtë, ai e rrethoi veten me një ekip prej dymbëdhjetë mjekësh që e ekzaminonin mepërpikëri nga koka te këmbët çdo ditë. Nga ushqimi që konsumonte e deri te ajri që merrte, çdo aspekt i jetës së tij u shqyrtua me kujdes. Dieta e tij iu nënshtrua testeve të rrepta laboratorike përpara se të arrinte në pjatën e tij, duke siguruar që vetëm ushqimi më i pastër dhe më i sigurt të hynte në trupin e tij. Por kërkimi i Jackson për jetëgjatësi nuk u ndal me kujdesin mjekësor. Ai caktoi pesëmbëdhjetë individë për të mbikëqyrur ushtrimet e tij të përditshme dhe rutinat e stërvitjes, duke njohur rëndësinë e aftësisë fizike në zgjatjen e jetës. Edhe aranzhimet e tij të gjumit ishin përshtatur për të optimizuar shëndetin e tij deri te shtrati i tij i pajisur me teknologji të avancuar për të rregulluar nivelet e oksigjenit.

Megjithatë, pavarësisht nga këto përpjekje të përpikta, më 25 qershor 2009, ndodhi tragjedia që nuk pritej. Në moshën pesëdhjetë vjeçare, zemra e Jackson pushoi së rrahuri, duke i dhënë fund të papritur ëndrrave të tij për jetëgjatësi. Pavarësisht përpjekjeve të kombinuara të profesionistëve mjekësorë nga Los Anxhelosi dhe Kalifornia, jeta e tij nuk mund të shpëtohej.

Jeta e tij u rrethua nga hija e akuzave: Ikona që lë fansat dhe mediat në mister. Ai rrallëherë shqetësohej të korrigjonte mediat në lidhje me akuzat dhe teoritë e bëra kundër tij.Si rezultat, kjo i la shumë nga fansat dhe publikun të spekulojnë dhe të krijojnë teoritë e tyre në lidhje me personalitetin misterioz të Michael Jackson. Ndërsa disa nga këto teori kanë prova që mund të konsideronin të vërteta, askush nuk ishte plotësisht i sigurt për llojin e jetës që bënte Michael. Ai nuk konfirmoi kurrë ndonjë thashethem apo pretendim për pamjen e tij. Për shkak se Michael Jackson nuk i pengoi mediat të bëjnë si të duan, atij iu desh të përballej me disa veprime ligjore gjatë pjesës së fundit të karrierës së tij si artist.

Një yll, dy gra, tre fëmijë.

Michael Jackson kishte tre fëmijë, por identiteti i nënës së njërit prej tyre ka mbetur mister për publikun. Ai pati dy martesa. E para me vajzën e Elvis Presley, Lisa Marie Presley, të cilët u divorcuan në vitin 1996.

Dhe e dyta me infermieren asistente Debbie Rowe, me të cilën solli në jetë dy fëmijë.

Nga tragjedia te bujaria: Flakët në setin e Pepsit dhe akti humanitar i Michael Jackson.

Në setin për xhirimet e një reklame për Pepsi më 27 janar 1984, flokët e këngëtarit morën flakë. Aksidenti u shkaktua nga mjetet piroteknike dhe Michael Jackson mbeti me djegie të shkallës së dytë në lëkurën e kokës. Si rezultat, për të mbuluar plagët, Jackson iu nënshtrua një operacioni rinoplastik. Pepsi e zgjidhi çështjen jashtë gjykatës duke i kompensuar dëmet në një pagesë prej 1.5 milionë dollarësh. Ai më pas i dhuroi këto 1.5 milionë dollarë për qendrën mjekësore në Kaliforni që trajtoi djegiet e tij. Si falënderim, Qendra Mjekësore Brotman në Kaliforni e quajti departamentin e tyre të djegieve “Michael Jackson Burn Center”.

Pas incidentit me Pepsi, Michael Jackson u detyrua të mbante një paruke. Kur Michael ndërroi jetë në qershorin e vitit 2009, u zbulua se ai mbante një paruke për të fshehur rënien e flokëve. Kjo rënie e veçantë e flokëve u shkaktua nga incidenti tragjik. Sipas menaxherit të tij, ai kishte mbajtur paruke për vite me radhë për të maskuar pjesën e lënduar pa flokë.

Nga “Moonwalk” deri te frika nga lartësitë: Kontrasti i Michael Jackson

Një nga atributet më unike të Michael Jackson ishte aftësia e tij e jashtëzakonshme për të kërcyer. Lëvizja legjendare “Moonwalk”, e prezantuar për herë të parë në një shfaqje televizive live në vitin 1983, bëri bujë dhe mbetet si një nga momentet më ikonike në historinë e performancave live. Pavarësisht pranisë së tij elektrizuese në skenë, Jackson thuhet se vuante nga akrofobia, frika nga lartësitë.

Karakteri krijues i Michael Jackson nuk pushoi asnjëherë. Albumet “Bad” (1987), “Dangerous” (1991), “HIStory” (1995), dhe “Invincible” (2001), treguan një artist që gjithmonë kërkonte të sfidonte veten dhe të eksploronte horizonte të reja muzikore. Hite të tjewra si “Man in the Mirror”, “Black or White”, dhe “Earth Song” janë prova të angazhimit të tij për temat sociale dhe humanitare. Jackson ishte thellësisht i përfshirë në përpjekjet humanitare, duke dhuruar miliona dollarë për bamirësi të ndryshme, duke përfshirë ato që mbështesin kauzat për mbrojtjen e fëmijëve deri te kërkimet për medikamentet për kurimin të infektuarve me SIDA.

Ai kurrë nuk e ka dashur veçanërisht zërin e tij gjatë regjistrimeve të hershme me “The Jackson 5”. Pavarësisht nga vlerësimi, ai shpesh ankohej për lartësinë e zërit të tij në intervistat e mëvonshme, duke e përshkruar atë si të ngjashëm me atë të personazhit të animuar Micki Mouse. Artisti ushqente gjithshtu një dashuri të madhe për librat që kishte filluar që në adoleshencë. Librat e tij të preferuar ishin “Rip Van Winkle” nga Washington Irving dhe “The Old Man and the Sea” nga Ernest Hemingway. Thuhet se krijoi një bibliotekë me më shumë se 10,000 libra.

E vërteta pas lëkurës së Michael Jackson

Një nga ndryshimet më të diskutueshme dhe më të dukshme ishte toni i ngjyrës së lëkurës së tij. Kjo sepse ngjyra e lëkurës së tij ndryshoi për shkak të sëmundjes së lëkurës të quajtur Vitiligo. Ai gjithashtu vuante nga shumë çrregullime të shëndetit mendor, si çrregullimi i dismorfisë së trupit, i cili mendohet të jetë një kontribues i madh në ndryshimin e tij në pamje.

Për obsesionin e Michael me pamjen e tij ishte fajtor edhe babai i tij Joe Jackson. Që në moshë të vogël, i ati shpesh tallej me pamjen e tij. Kështu, Michael kishte kaluar një fëmijëri të nënshtruar ndaj abuzime mendore dhe fizike që kishin lënë gjurmë të vrazhda gjatë rritjes ndër vite. Sipas artistit të ndjerë, babai i tij në mënyrë specifike tallej me formën dhe madhësinë e hundës së tij. Kjo e traumatizoi legjendën ew muzikës dhe pasojat u ndjenë edhe në moshën madhore.

Në vitin 1992 Jackson vizitoi bregun perëndimor të Afrikës në turneun e tij dhe ai u prit ngrohtësisht nga vendasit. Atë e deshën aq shumë sa në një fshat të vogël në Bregun e Fildishtë vendosën ta bënin mbret. Atij iu dha emri Michael Jackson Amalaman Anoh nga shefi i fisit. Në fshatin Krindjabo u mbajt një ceremoni e plotë, me kërcime dhe daulle tradicionale. Michael u vesh me një fustan tradicional për kurorëzimin e tij dhe dokumentet u nënshkruan për ta zyrtarizuar mbretërimin e tij.  Ai mbeti mbreti i Bregut të Fildishtë deri në vdekjen e tij. Pas vdekjes së tij, shefi i fisit kërkoi trupin e tij për një varrim zyrtar për mbretin, por kërkesa e tij u refuzua dhe ai u varros në Kaliforninë Jugore.

Përtej turbulencave dhe vështirësive, Michael vazhdoi të jetë si një figurë e dashur që numëronte miliona fansa anë e mbanë globit. Edhe pse ai ndrroi jetë më 25 qershor 2009, trashëgimia e tij muzikore dhe ndikimi global mbeten të pavdekshme.

Edhe pse ai ndërroi jetë në moshën 50 vjeçare 15 vite më parë, pavarësisht se bëri gjithëçka për të fituar jetëgjatësinë, ajo që la pas mbeti  shpirti i tij artistik, talenti dhe zëri i tij që do të vazhdojnë të jetojë gjithmonë  përmes muzikës, performancave dhe ndikimit të tij të pashlyeshëm në kulturën pop. Përtej jetës së ndërlikuar, ai mbetet  ikona legjendare e përjetësuar  në industrinë e muzikës, Michael Jackon.