A do të ketë një zëvendësim të Strakoshës me Buffon?

Showbiz

Vendimi i papritur i Xhixhi Bufon për t’u larguar nga Paris SG duket se i ka hapur rrugë përsëri shumë hipotezave për të ardhmen e tij, pasi duket se portieri 41-vjeçar është ende në kërkim të një eksperience të fundit në futbollin e rëndësishëm. Një nga hipotezat që filloi të qarkullonte gjerësisht në Itali shihte Bufon t’i bashkohej skuadërs së Lacios, ekip për të cilin ai ka shprehur shpesh pëlqimin e tij. Por çdo mundësi në lidhje me këtë pistë është shuar nga Silvano Martina, agjenti i portierit italian. Sipas tij bëhet fjalë për dicka që është e pamundur të ndodhë, pasi te Lacio kanë një portier të madh, pra Thomas Strakoshën.

“Xhixhi nuk ka ndërmend të tërhiqet. Tani më ka thënë që kërkon dy ditë kohë dhe qetësi për të reflektuar bashkë me familjen e tij për të ardhmen. Më kanë bombarduar me telefonata por nuk ka asnjë vendim, Përtej Juventusit, Xhixhi ka në zemër Karrarezen, Xhenoan dhe Lacion. Ka shprehur gjithmonë vlerësimin ndaj bardhekaltërve, por skuadra e Inzagit ka një portier të mirë si Strakosha”, u mjaftua të thotë Martina për mediat italiane.

Parc des Princes

Sipas “Sky Sport”, Bufon është i prirur për të gjetur një klub që t’i japë mundësinë për të luftuar për Ligën e Kampioneve. Rrjeti televiziv italian insiston se një prej ofertave që i kanë mbërritur portierit këto ditë është edhe ajo e klubit të Barcelonës. Me largimin thuajse të sigurt të Cilesen në verë, katalanasve i duhet një portier i dytë për Ter Shtegen dhe Bufonit i është ofruar kjo mundësi. Portieri ka kërkuar kohë të mendohet dhe po shqyrton edhe propozimet e tjera që i kanë mbërritur si nga Fluminense në Brazil, apo Fenerbahçe ne Turqi. Gjithsesi, gardiani italian nuk dëshironte të largohej nga futbolli i luajtur pa provuar edhe një herë që t’i afrohej trofeut të Champions League.