Përpara një viti u nda nga jeta një nga ikonat e muzikës shqiptare, Françesk Radi. Sot, pas një viti, përkujtimi i tij u shënjua me vendosjen e bustit të tij në Tiranë. Busti i tij me kitarën simbolike të kantautorit, u vendos tek zona e Liqenit, ku midis shumë njerëzve prezent ishte sigurisht edhe bashkëshortja e tij, Tefta Radi.
“Ai do të mbahet mend si kantautori i parë shqiptar, si i riu që solli risi në muzikën shqiptare, që futi modernen, për të cilën nga diktatura u dënua afro tre dekada. Iu hoq e drejta e krijimtarisë në fushën e muzikës së lehtë, pa ia shuar kurrë pasionin për muzikën. Frankoja punoi gjithmonë me të njëjtin pasion,” u shpreh bashkëshortja e tij, Tefta Radi.