Mark Zuckerberg po ecën në gjurmët e Bill Gates, dhe po zbaton të njëjtin parim “bashkohu, bliji ose shkatërroi”.
Ai refuzon konkurrencën, e blen atë ose e shkatërron atë. Dhe shembuj për këtë ka plot, duke filluar që nga Instagrami e deri tek WhatsApp-i. Zuckerberg ka shpenzuar miliarda dollarë për blerjen e këtyre dy platformave të komunikimit dhe përgjithësisht ja ka dalë mbanë që të shmangë konkurrencën e fortë, përveç një rasti; Snapchat. Në 2013-n, kur Snapchat ishte ende “foshnje”, Zuckerberg e kishte kuptuar potencialin e platformës dhe i ofroi themeluesit të tij 3 miliardë dollarë. Kërkesa u refuzua dhe përmes Facebook një muaj më vonë njoftohet hedhja në treg e “Poke”, një aplikacion ‘klon’ i Snapchat. ‘Poke’ ishte një dështim dhe u mbylla shpejt. Me kalimin e kohës, Snapchat ka patur një rritje jo në shifrat e Facebook apo Instagram, por ka qenë konstante, si në përdorues, ashtu edhe në të ardhura dhe sot përbën një kërcënim serioz për Zuckerberg, që po ndryshon Instagramin për ta shmangur këtë kërcënim.