Astronomët kanë zbuluar planetin që ngjan më së shumti me Tokën, nga të gjithë planetët e tjerë të studiuar deri më tani. Rruzulli i gurtë, i quajtur “Kepler 186f” ka përmasa të afërta me Tokën dhe në të, ndoshta gjendet ujë në gjendje të lëngët, që është thelbësor për jetën. I gjendur në galaktikën tonë, Udha e Qumështit, planeti është pjesë e një sistemi yjësor.
Përreth yllit të ftohtë dhe xhuxh, gjenden edhe katër planetë të tjerë. Trupi qiellor u zbulua nga teleskopi Kepler, i cili deri më tani ka zbuluar rreth një mijë planetë të rinj, që kur nisën kërkimet në vitin 2009. “Kepler 186f” ndodhet rreth 500 vite dritë larg Tokës. Sipas studimeve, ai është paksa më i madh se planeti ynë, me një rreze rreth 10 për qind më të gjatë.