Quhet Uber dhe fiton po aq sa Facebook. Aplikacioni për të thirrur një makinë me shofer dhe për ta paguar atë përmes telefonit smart ka arritur majat e përdorimit, duke u shtrirë pas Amerikës në mbarë Evropën.
App-i zgjidh marrëdhëniet e komplikuara me taksistët, shoferët privatë, si dhe u mundëson qytetarëve të zgjidhin problemet e tyre me njëri-tjetrin, duke bërë pagesën me celular në këmbim të pasazheve në kohë reale.
Përplasja për menaxhimin e rrugëve, që në Kaliforni u zgjidh me një ligj ad hoc për të mundësuar praninë e aktorit të ri në sektorin e transportit, nuk e ka ndaluar zhvillimin e Uber. Përkundrazi.
Sipas të dhënave të fundit, ende të pakonfirmuara, shumës prej 1 miliard e gjysmë dollarë financime të bëra në muajt e fundit nga një seri investitorësh, pjesë e të cilëve është edhe Google, do t’i shtohet së shpejti një tjetër 1-miliardësh, duke e çuar kështu vlerën e kompanisë mbi 30 miliardë dollarë.
Është Business Insider që ka siguruar informacionet e para sa i takon arkëtimeve. Bëhet fjalë për të ardhura vjetore që pritet të arrijnë në 10 miliardë dollarë brenda vitit 2015.
Duke marrë parasysh faktin se Uber u jep 80 për qind të çdo transaksioni qytetarëve që bëjnë detyrën e shoferit, arkëtimi i bie të jetë 2 miliardë. Një shifër e konsiderueshme për një shoqëri që lindi 5 vite më parë dhe që vijon me një rritje prej 300 për qind çdo 12 muaj.
Sa për krahasimin me Facebook rezulton se: rrjeti social me 1.3 miliardë abonentë do të kapë kuotën 10 miliardë këtë vit, pas 10 vitesh aktivitet e që i bie dyfishi i Uber, që ndërkohë ka 5 vjet më pak