Seria e fitoreve për “Parasite” nuk ishte e vetmja surprizë e çmimeve Oscar. Samsung-u habiti shikuesit duke lançuar modelin e fundit të celularit që pritet të dalë në treg.
Kompania shfaqi reklamën e Galaxy Z Flip në një video 30-sekondëshe gjatë ceremonisë Oscar, vetëm dy ditë para se të lançojë zyrtarisht produktet dhe telefonat e rinj.
Reklama tregon telefonin në veprim, sesi hapet ekrani duke u rrokullisur. Gjithashtu në reklamë shihet sesi pjesa e parme e ekranit është e përkulur dhe nuk hapet 180 gradë, në mënyrë që bisedat video të jenë më cilësore.
Shumë gjëra mbetën të panjohura, si çmimi, data e lançimit dhe specifikat. Me shumë mundësi këto do të bëhen të ditura gjatë eventit.
Galaxy Z Flip do të jetë një nga smartphone-t më të vegjël në treg, i cili mund të paloset. Samsungu ka pasur probleme gjatë lançimit të Galaxy Fold, i cili është 4.6 inç dhe hapet në një tabletë 7.3 inç. Celulari doli në treg vjeshtën e kaluar, pas disa muajsh vonesë.
Në fillim të muajit u lançua edhe Motorola Razr, i cili kushton 1500 dollarë. Fansat e tij u tërhoqën shumë prej këtij modeli, pavarësisht karakteristikave të tij të mangëta. Ky model ka bateri të vogël dhe ekran plastic.