Pas muajsh të tërë bisedash dhe testesh, tani, nga WhatsApp mund të kryhen pagesa dhe transferta parash! Drejtori ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg njoftoi se të gjithë përdoruesit e WhatsApp-it në Brazil, do të jenë të parët që do të mund të dërgojnë apo të marrim para përmes kësaj platforme.
Shërbimet e pagesave përmes WhatsApp-it, -që për momentin janë pa pagesë për individët, por jo për bizneset, do të funksionojnë përmes një kodi 6 shifror ose shenjave të gishtërinjve të përdoruesit, që transaksioni të kryhet me siguri dhe sukses. Përdorimi do të jetë i thjeshtë, ti lidh adresën tënde të WhatsApp-it me kartën dhe më tej vijon me transaksionin e dëshiruar. Një shërbim të tillë, WhatApp-i ka kohë që e teston tek përdoruesit indianë dhe kryesisht tek pronarët e bizneseve të vogla.
Pavarësisht se pagesat përmes këtij aplikacioni janë një hap dhe një risi e madhe që mendohej prej vitesh, ka ende shumë pyetje dhe paqartësi në lidhje me të. Brazili është prova dhe shembulli i parë që do të tregojë dhe vendosë për vazhdimësinë e mundësisë së pagesave përmes WhatsApp-it.