Ishte viti 2009 kur për herë të fundit, Microsoft bëri shkurtime të mëdha të vendeve të punës. Asokohe, gjiganti teknologjik largoi pesë mijë e 800 njerëz prej vendeve të tyre të punës. Tashmë, duket se kompania amerikane ka plane të njëjta.
Sipas një raporti të fundit nga Bloomberg, Microsoft do të bëjë shkurtime të reja të punonjësve të saj dhe njoftimi për këtë vendim do të bëhet këtë javë.
Para pak kohësh, Microsoft ka blerë njësinë mobile të kompanisë Nokia në vlerë prej 7.2 miliardë dollarësh dhe sipas burimeve mediatike, disa nga shkurtimet e vendeve të punës do të bëhen pikërisht nga njësia e kompanisë Nokia, e cila tashmë është në pronësi të gjigantit amerikan.
Shkurtimet punës me sa duket do të vijnë nga fusha të cilat përputhen në mes të dy kompanive, edhe pse ende nuk ka detaje të veçanta për largimet e punëtorëve, dhe njësitë nga të cilat do të shkurtohen burimet njerëzore.
Microsoft aktualisht ka një numër të madh punonjësish, saktësisht 127 mijë e 104 të punësuar, ndërsa me blerjen e kompanisë Nokia u shtuan edhe 30 mijë punonjës shtesë, për ta arritur numrin më të madh të punëtorëve që kompania ka pasur deri më sot.