MICA, byzylyku inteligjent i Intel nuk rezultoi aq i suksesshëm sa pritej

Teknologji

0bc27c1bf59f8db637e047e6707d23770fc44770
Kur Intel dhe marka e rrobave Opening Ceremony lançuan zyrtarisht pajisjen e quajtur MICA, ajo u përcaktua si një byzylyk inteligjent ku ndërthurej estetika dhe funksionaliteti.

Fatkeqësisht shumë vetë e përcaktuan atë thjesht si një aksesor i bukur dhe aspak ekonomik duke qenë se ka një çmim prej 495$.

MICA është ndërtuar për të funksionuar si një asistent personal me të cilin ju mund të dërgoni mesazhe të shkurtra drejt kontakteve tuaj, ju kujton ju për eventet bazuar në Facebook dhe Google dhe gjithashtu mund t’ju sugjerojë biznese pranë jush.

Përsa i përket anës estetike MICA ka formën e një rrethi të gjerë e të rëndë që vihet në kyçin tuaj i zbukuruar me gurë të çmuar dhe lëkurë gjarpri, ndërkohë që ekrani me prekje prej safiri ndodhet në pjesën e brendshme të kyçit. Duke qenë një aksesor kaq i ngarkuar ai nuk mund të mbahet çdo ditë veshur.

Por problemi kryesor që ky aksesor ka, ka të bëjë me ekranin me prekje që nuk është aq i ndjeshëm. Pajisja ka lidhjen e saj telefonike dhe në momentin e blerjes ju do të përfitoni një numër telefoni nga AT&T me kontratë dy-vjeçare të cilin mund ta përdorni për të komunikuar me miqtë tuaj vetëm përmes mesazheve.

Dhe së fundmi MICA nuk ka mbështetje për rrjet wi-fi por ofron vetëm 3G. Padyshim që diçka më e mirë pritej nga ky bashkëpunim i Intel dhe Opening Ceremony ndaj nëqoftëse do të ketë një herë tjetër kompanitë do duhet të përpiqen më shumë.