Pak pas skandalit të përgjimeve, ku Agjencia Kombëtare e Sigurisë kishte zhvilluar një program joligjor gjurmimi të dhënash private, google njofton se SHBA-ja mban vendin e parë në rang botëror sa i takon kërkesave për përgjim të individëve. Sipas raportit të motorit të kërkimit, një e pesta e kërkesave në glob drejtuar google-t kanë ardhur nga Uashingtoni. Janë regjistruar mbi 10 mijë nga mbi 53 mijë kërkesa në total. Ndërkohë, google i është përgjigjur 83% të tyre.
I njëjti dokument evidenton se në katër vjetët e fundit shtetet kanë rritur me 120% kërkesat për përgjim. Pjesë e programit të gjurmimit, janë të gjitha të dhënat private, sa i takon komunikimet me email, numrat e telefonit, bisedat në çat dhe të dhëna personale. Ky raport publikohet në një kohë kur në Shtetet e Bashkuara po punohet për reformimin e programit të përgjimit. Kjo pasoi publikimin e dokumenteve nga ish-punonjësi i NSA-së Eduard Snouden, i cili zbuloi skandalin më të madh të përgjimit pas wikileaks.