Kompania automobilistike nga Kroacia, Rimac, ka njoftuar se në panairin “Geneva Motor Show”, që mbahet në muajin mars, do të shpalosë versionin e prodhuar të Concept_One.
Koncepti kishte debutuar më 2011 në “Frankfurt Motor Show”. Vetura është shumë e fuqishme. Ajo vjen me 1.072 kuajfuqi dhe me bateri 82 kilovat për orë, që forcon katër motorë elektrikë.
Concept_One përshpejtimin prej 0 në 100 kilometra për orë e arrin për 2.6 sekonda, ndërsa shpejtësinë maksimale e ka 354 km/orë.
Koncepti ka sistem që tërheqë me të gjitha rrotat dhe, sipas shefit të kompanisë, synimi është të bëhet vetura e shekullit.
“Qëllimi im është të mos krijojmë një version elektrik të superveturave që tashmë ekzistojnë. Dua të krijoj teknologji që bëjnë superautomobilat shumë më të mirë – më të shpejtë, argëtues dhe më kursyes. Dua të bëj superveturën e shekullit 21”, ka thënë shefi i Rimac Automobili, Mate Rimac.
Prodhimi është i limituar në tetë njësi, ndërsa nuk ka akoma fjalë për çmimin.