“Google”, miratohet harrimi online

Teknologji

“Google” nisi të ofrojë shërbimin që u lejon europianëve të kërkojnë heqjen e të dhënave të tyre, nga kërkimi në rrjet. Lëvizja e kompanisë amerikane, vjen pas vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila u dha individëve, siç thuhet, të “drejtën që të harrohen online”. “Lidhjet që të çojnë në të dhëna të papërshtatshme dhe të vjetruara, mund të fshihen me kërkesën e individit”, thuhet në vendim. Edhe pse fillimisht e cilësoi si cenim të lirisë, “Google” njofton se do të vlerësojë çdo kërkesë të bazuar mbi të drejtën e individit për privatësi.

Zyrtarë të motorit të kërkimit thanë se para se të vendosin për heqjen e të dhënave të caktuara, do të shqyrtojnë nëse personi në fjalë ka kryer mashtrime financiare, është i ndjekur penalisht apo është përfshirë në veprimtari të tjera kriminale. Vendimi i Gjykatës Europiane më 13 maj, erdhi pas ankesave të disa individëve, që e cilësonin dhunim privatësie, mos heqjen e të dhënave të tyre nga rrjeti online, edhe pas kërkesave të vazhdueshme ndaj “Google”.