Gjykata europiane vendos kundër “Google”-it

Teknologji

Bashkimi Europian përcakton atë që cilësohet e drejta për t’u harruar në rrjetin online. Gjykata e BE-së për Drejtësinë, vendosi që nëse një person ka postuar diçka në “Google” dhe më vonë nuk dëshiron që ai postim të shfaqet më në kërkimet në internet, ai njeri ka të drejtë të kërkojë fshirjen e tyre. Vendimi i gjykatës u mor pas rastit të një qytetari spanjoll, i cili kishte kërkuar që “Google” të fshinte të dhënat që dilnin nga kërkimet për të, pasi e cilësonte cenim të privatësisë.

Gjykata Europiane e Drejtësisë nisi procesin në fjalë, pasi shtetasi spanjoll ishte ankuar se një njoftim i bërë shumë herët prej tij, për shitjen e banesës, vijonte të shfaqej në internet. Pas një gjyqi maratonë mbi këtë çështje, gjykata vendosi që “Google” të fshijë rezultatet e kërkimeve kur kjo u kërkohet nga njerëzit e thjeshtë. Vendimi sanksionon që postimet e papërshtatshme dhe ata që u ka kaluar koha duhet të fshihen me kërkesën e individit. Vetë kompania “Google” e ka cilësuar censurë këtë vendim.