Facebook raportoi të ardhura që kanë arritur në 0,43 dollarë për aksion nga totali i të ardhurave për tremujor që kanë arritur në 3.2 miliardë dollarë, që tejkalon vlerësimet e analistëve të tregut që pretendonin se për të ardhurat për aksion do të jenë rreth 0,40 dollarë, dhe se totali i tyre për tremujor do të jetë 3.12 miliardë dollarë. Kjo arritje e Facebook paraqet një rritje prej 60% nga të ardhurat e saj prej 2.02 miliardë dollarë në tremujorin e njëjtë të një viti më parë.
“Këto rezultate tregojnë se Facebook po bëhet më i fortë për çdo ditë”, tha Mark Zuckerberg, bashkëthemeluesi i Facebook dhe drejtori ekzekutiv i rrjetit më të madh social në botë.
Të ardhurat nga reklamat në pajisjet mobile, dikur shqetësim për kompaninë, në muajt e parë të saj si një kompani publike, përbënin dy të tretat e të ardhurave totale nga reklamat në tremujorin e tretë. Facebook ka rritur shumë produktet e saj për reklamimin mobil që nga regjistrimi i saj si IPO dhe lansoi një rrjet të reklamave mobile në fillim të këtij viti, raporton Telegrafi.
Rritja e përdoruesve të Facebook gjithashtu i tejkaloi pritjet. Rrjeti social ka tani 1.35 miliardë përdorues mujore aktivë dhe 864 milionë përdorues të përditshëm aktivë, që paraqet një rritje deri në 14% dhe 19%, respektivisht. Numri i përdoruesve mobil të përditshëm aktivë është rritur, për të arritur në më shumë se 700 milionë, apo 39% nga viti i kaluar.
Vlera e WhatsApp arrin në 22 miliardë dollare
Më tej, Facebook ka zbuluar se aplikacioni i saj mobil WhatsApp ka gjeneruar 10.2 milionë dollarë në të ardhura vitin e kaluar, por edhe humbje neto prej 138 milionë dollarëve. Facebook poashtu tha se e ka mbyllur blerjen e aplikacionit, me një vlerë prej 22 miliardë dollarëve.
Përdoruesit e Instagram rrin online në aplikacion, 21 minuta në ditë
Facebook nuk ka ofruar asnjë të dhënë shtesë për Instagram, një tjetër blerje të dukshme të kompanisë, por Zuckerberg ka zbuluar se përdoruesit e Instagram tani shpenzojnë një mesatare prej 21 minuta në ditë në aplikacion.