Apple përfitoi 1 ton ar nga pajisjet e përdorura

Teknologji

gwegwe.jpg

Nëse keni një iPhone, iMac, iPad apo çdo produkt tjetër të Apple që u përket gjeneratave të vjetra, atëherë keni në dorë një ‘copëz’ pasurie që kompania amerikane e kërkon mbrapsht kundrejt një pagese.
Një raport i fundit i kompanisë amerikane të teknologjisë thotë se Apple përfitoi pak më shumë se 1 ton ar nga produktet e veta të vjetra të nxjerra jashtë përdorimit, transmeton tch.
Shifra tregon se përpjekjet e kompanisë për të ricikluar metalet kanë qenë të suksesshme duke reduktuar ndjeshëm sasinë e arit që kërkon çdo vit për produktet e reja, ar që nxirret nga minierat afrikane e ku shpesh punohet në kushte çnjerëzore nga kompanitë nënkontraktore.
Ari përdoret gjerësisht tek produktet e teknologjisë për aftësinë që ka si konduktor i elektricitetit. Në pamundësi të tij, ka kompani që e zëvendësojnë me bakër, një material shumë herë më i lirë, por me performancë po shumë herë më të ulët.
Sipas CNN Money çdo iPhone i shitur në 2011 ka 0.034 gramë ar, që e përkthyer në vlerë monetare është gati 2 euro. Vështirësia qëndron në rimarrjen e këtij ari nga aparatet teknologjike të vjetra dhe për këtë Apple thotë se ka shpikur një robot të quajtur Liam.
Vetëm vitin e kaluar Liam ka “thithur” arin nga 1.2 milionë pajisje Apple. /Monitor/