Qumështor me vanilje, receta që kthen në kohë shijen e vërtetë të kuzhinës së gjyshes

Lifestyle

E shtuna është dita ideale për t’i lejuar vetes pak ”abuzim” me sheqerin, dhe kur ëmbëlsira të kujton shijen e ëmbël të gjyshes, vështirë që t’i rezistojë njeri. Ju kujtohet qumështori i ëmbël që na përgatisnin nënat e mamit babit kur ishim të vegjël? Flani, është një ëmbëlsirë e ngjashme me të, por me pak ndryshime të vogla.

Përbërësit për tavë me diametër 24cm: 1 masë brumi brise i gatshëm ose petë sfoliatë, 1 litër qumësht me yndyrë, 4 vezë, 1 bustinë vanilje, 150g sheqer dhe 90g niseshte.

Përgatitja: Ziejmë qumështin bashkë me vaniljen. Në një tas të madh, përziejmë vezët me ì rrahësen e vezëve me dorë. Shtojmë niseshtenë me sheqerin, të cilat i kemi përzier më parë në një tas tjetër. Hedhim qumështin e valuar dhe vazhdojmë ta përziejmë shpejt me rrahësen me dorë. Masën e hedhim te tenxherja ku ngrohëm qumështin dhe duke e përzier pa ndërprerje me rrahësin e vezëve me dorë, e lëmë në zjarr derisa të marrë valë. Lyejmë tavën me pak gjalpë, shtrojmë petën, e shpojmë me pirun dhe sipër hedhim kremin. E pjekim afërsisht për 40 minuta në furrën e ngrohur më parë në temperature 170°C. E lëmë të ftohet në temperaturë ambienti dhe pastaj e fusim në frigorifer të mbuluar me letër alumini.