Bota po përballet me pandeminë Covid-19. Ne si të rritur arrijmë ta perceptojmë dhe studiojmë situatën të cilën po kalon vendi. Ne jemi të ndërgjegjshëm për rregullat që duhet të zbatojmë dhe për pasojat që sjell ky virus. Fëmijët janë ata që nuk e perceptojnë dhe kuptojnë këtë situatë, por arrijnë të shohin mërzitjen dhe frikën e prindërve.
Çdo prind këto ditë është përballur me pyetje nga më të ndryshme nga të vegjlit e tyre si psh: Përse ne po qëndrojmë në shtëpi? Pse nuk shkojmë në kopsht/shkollë? Pse nuk dalim të luajmë me shokët në park? Pse ju nuk shkoni në punë? Çfarë është Coronavirusi që jep televizori? Këshilla e parë që duhet të vihet në zbatim është që duhet të shmangni televizionet që japin këto informacione në prani të fëmijëve. Fëmijët në televizione duhet të shohin filma vizatimorë dhe programe për moshën e tyre. Fëmijët bëjnë pyetje dhe pyetjet e tyre nuk duhet të injorohen pasi është shumë e rëndësishme që ata të marrin përgjigje. Fëmijët janë ata të cilët nuk duhet të ndiejnë ankth apo frikë. Duhet t’i mbajmë sa me larg frikës së kësaj situate. Përjetimet emocionale të tyre janë më të rëndësishmet. Mos shfaqni panik, ankth, frikë, tension në prani të tyre. Jini të buzëqeshur dhe shijojeni periudhën që po kaloni me to duke ju treguar dashurinë dhe kujdesin ndaj tyre. Shpjegoje situatën në të cilën ndodhemi duke ju përgjigjur pyetjeve të tyre në mënyrat më të ndryshme që ata të arrijnë të kuptojnë aq sa duhet për moshën e tyre. Nëpërmjet lojërave dhe vizatimeve është një mënyrë e mirë pasi fëmija dhe zbavitet dhe merr përgjigjet e pyetjeve që bën. Mund t’ju jepet përgjigje pyetjeve të tyre kureshtare dhe nëpërmjet krijimit të një historie si p.sh; ”Një mikrob i vogël u krijua në një vend të botës. Ky mikrob u rrit dhe u bë i madh. Ai mori dhe emrin Coronavirus siç ti e ke dëgjuar. Ky mikrob është i padukshëm. Ne nuk e shohim atë. Por ai është një mikrob shumë i keq që do që të luftojë me njerëzit. Ai ka filluar të udhëtojë në të gjithë botën me makinën e tij të padukshme. Tek njerëzit që nuk mbajnë pastër rrobat, nuk lajnë duart, pështyjnë në rrugë ky virus hyn në trupin e tyre dhe i sëmurë ato. Prandaj ne rrimë në shtëpi, nuk ikim në shkollë sepse ne nuk e dimë nëse shokët tanë i kanë mbajtur rregullat e pastërtisë. Nëse ato nuk i mbajnë rregullat e pastërtisë marrin mikrobin dhe ne duke ndenjur me to na e ngjisin atë. Ne kemi mësuar se gjithmonë duhet të kujdesemi për veten, duhet të veshim rroba të pastra, duhet të lajmë duart sa herë që prekim diçka, duhet të lajmë dhëmbët, kur teshtijmë apo kollitemi duhet të teshtijmë dhe kollitemi ne shami dhe ta hedhim me pas atë. Mikrobi shkon tek njerëzit që s’mbajnë pastër veten dhe ambientin, prandaj të gjithë së bashku duhet të ndjekim rregullat e pastërtisë që virusi të zhduket përgjithmonë. Ne do të rrimë në shtëpi do mbajmë pastër veten dhe mikrobi kur të shohë se ne jemi te pastër do ikë për te mos u kthyer me. Ne do të kënaqemi në shtëpi së bashku dhe kur te ikë mikrobi do të kthehemi në shkollë dhe do dalim të luajmë në park”. Shpjegojuani situatën me fjalët më të thjeshta.
Bëjeni të ndjejë emocione pozitive dhe të kalojnë bukur, ngrohtë dhe zbavitës periudhën e qëndrimit në shtëpi. Angazhojini ato me vizatime,lexim,shkrim dhe zbavitini me lojëra të ndryshme. Kthejeni shtëpinë tuaj në një park lojërash ku ai të mos e ndjejë mungesën e lojërave jashtë shtëpisë. Organizo një orar kinemaje kur të shohë filma vizatimorë,shpjegojini shume shpesh rregullat e pastërtisë dhe edukojeni që t’i zbatojnë ato. Duke ruajtur qetësinë dhe mos përhapjen e panikut do të jemi më optimistë për kalimin e kësaj situate.