Përbërësit për tavë me diametër 28 cm:
Për brumin: 140 g gjalpë i butë, 75 g sheqer pluhur, 2 g kripë (me majat e
gishtave kapni pak kripë), 25 g miell bajamesh, 1 vezë, 250 g miell, tipi 0 ose 00.
Për mbushjen:
80 g gjalpë i butë, 120 g sheqer kaf, pak kripë, 130 g shurup panje ose mjaltë, 3 vezë, 150 g arra pekan në thërrime ose arra të zakonshme në thërrime, 200 g arra pekan të qëruara.
Përgatitja:
Brumi: në një tas hedhim gjalpin, sheqerin pluhur, miellin e bajameve, kripën dhe vezën. I përziejmë me lugë druri. Shtojmë miellin dhe e punojmë shumë pak me dorë, pasi brumit nuk i bën mirë ngrohtësia. E mbështjellim me plastmasë kuzhine dhe e lëmë në frigorifer 2 orë ose më mirë akoma, një natë. Të nesërmen ose 2 orë më pas e nxjerrim nga frigoriferi, e punojmë pak me dorë dhe e hapim me petës me pak miell me trashësi 2-3 mm, duke i dhënë formën e tavës (do t’ju teprojë pak brumë dhe mund ta bëni biskota). E shpojmë bazën me pirun në shumë vende dhe fusim tavën në ngrirje për 30 minuta ose në frigorifer për 1 orë. E pjekim bazën në furrën e ngrohur më parë në temperaturën 180° C, derisa të marrë ngjyrë të artë (rreth 20/25 minuta). E nxjerrim dhe e lëmë të vaket.
Ndërkohë përgatisim mbushjen: në një tas përziejmë me rrahëse vezësh me dorë ose lugë druri gjalpin me sheqerin, kripën, shtojmë shurupin e panjës ose mjaltin, vezët një nga një dhe i përziejmë akoma. Në fund shtojmë 150 g arrat në thërrime. E hedhim të gjithë masën në tavë. Vendosim sipër në formë rrethi arrat pekan dhe e pjekim për 30 minuta të tjera në temperaturën 170° C. Pas 15 minutash mos harroni ta mbuloni me letër alumini, pasi arrat digjen shumë shpejt. E lëmë të ftohet dhe është gati për t’u konsumuar.