Nëse e doni jetën, shkoni në Paris!

Lifestyle

paris-780x439.jpg

Kryeqyteti i kulmeve të kulturës botërore, Parisi, nuk e ka lënë indiferent asnjë vizitor, që ka rastin dhe fatin e bardhë ta vizitoj qytetin e dritave dhe të ëndrrave.

Shkruan: Shaqir Foniqi

‘Nuk dua të vdes pa e parë Parisin dhe pikë’, ‘Shihe Parisin dhe vdis’, ‘Kur Parisi zbret nga Qielli’, ’Nuk mjaftojnë njëqind sy’, ‘Ky qytet do të më vrasë’, ‘Në Paris, ndryshe shkon, ndryshe vjen’, ‘Paris, të dua’, ‘Nata në Paris nuk është si çdo natë’, ‘Paris, të dua’ …e shumë emërtime të tjera janë thurë për Parisin, ose qytetin e imagjinatës dhe fantazisë së pakufishme.
Bon anniversaire (Më fat ditëlindja, Paris) është fjala që më shumti i rri këtij qyteti, i cili, saherë që e viziton, të duket gjithnjë e më i rinuar dhe më me fat…

Parisi është i njohur qyteti më i madh i Francës, por edhe si qytet i dritave, i modës i kulturës, i romantikës, i argëtimit dhe i kuzhinës së mrekullueshme – nuk është vetëm i Francës, por është metropol i vërtetë kozmopolit! Shtrihet në dy brigjet e lumit Sena, në Francën Veriore, në krahinën Ile-de-France. Pos që është qendër kulturore, politike, industriale dhe qendër e jetës tregtare e tërë shtetit, është edhe qendër e artit, e modës dhe e kuzhinës së tërë botës.

Parisi është njëri ndër qytetet e rralla në të cilin mund të përshkruhet me më shumë se dhjetë fjalë: Tour Eifeel, Champs Elysees, Notre Dame, Moulin Rouge, Louvre, Seine, L’Arc de Triomphe, Pigale, Montmartre, Disneuyland, etj. Përveç kësaj, Parisi është kryeqytet i modës dhe i parfumeve.