Ky është sekreti i mbretëreshës Elizabeth për një buzëqeshje rrëzëllitëse

Lifestyle

Ajo është pa diskutim personazhi më emblematik i familjes mbretërore, një figurë sa kontraversiale aq edhe e dashur për popullin britanik e jo vetëm, ndaj s’është aspak habi që historianët e konsiderojnë si një nga figurat më të rëndësishme të monarkisë angleze. Kohët e fundit është lakuar vazhdimisht në trekëndëshin e telenovelës mbretërore Harry-Meghan dhe pjesa tjetër e familjes, e megjithatë sovrania 93 vjeçare ia ka dalë mbanë që të mbrojë pjesëtarët e tjerë nga vala e thashethemeve, por edhe të sigurojë që gjërat po shkojnë mirë. E shpeshherë këtë gjë e arrin edhe nëpërmjet buzëqeshjeje?

E duke u ndalur tek kjo e fundit, duhet thënë që mbretëresha ka një sekret për të pasur gjithmonë dhëmbë të shëndetshëm dhe një buzëqeshje rrëzëllitëse, të cilin ndryshe nga zakonishte e ka zbuluar vetë.

Gjatë vizitës së saj të fundit në “Royal National ENT & Eastman Dental Hospitals”, mbretëresha pati një bisedë të këndshme me një paciente të vogël, e cila e komplimentoi gjyshen e princave William dhe Harry për buzëqeshjen e saj. Sipas burimeve të pranishme, Lartmadhëria e saj pranoi se nuk ishte çdo gjë meritë e kujdesit të vazhdueshëm oral, por edhe aparatit ortodontik që kishte përdorur që fëmijë. “E kam vendosur kohë më parë, kur isha ende adoleshente. Fillimisht nuk e doja, pasi s’doja të kisha diçka të huaj në gojë, por mendoj se ia vlejti në fund”-janë disa prej fjalëve të cituara prej saj.