Katër mënyra për të përmirësuar ambientin toksik në punë-nga Life Coach Mireda Thana

Lifestyle

Të gjitha ambientet e punës herët a vonë shfaqin një nivel stresi- edhe në ditët më të mira. Ndonjëherë ndodh që vetëm mendimi që do ikësh në punë, të bën të ndihesh i lodhur, apo dhe i pamundësuar fizikisht. Këto nuk janë shenjat e një punë stresuese, por shenjat e një ambienti toksik. Një mjedis që nuk të bën të japësh maksimumin e potencialit dhe që ndikon në përditshmërinë tënde edhe jashtë orëve të punës, është padyshim toksik. Por a ka ndonjë mënyrë përmirësimi e cila varet plotësisht nga ne ?

Për këtë u konsultuam me Mireda Thana, Life Coach ( mentore) e çertifikuar për punën më individë dhe në grup. Mireda pohon që, bazuar dhe në eksperiencën e saj, “Është e vërtetë që në Shqipëri për shkak dhe të një zhvillimi më të pakët rreth komunikimit, ndërveprimit apo përqasja ndaj njëri-tjetrit ose vetë ambienti të bëjnë të ndihesh i zvogëluar.

Mireda thotë që: “Nëse jetojmë në një ambient toksik, nëse pritshmërinë tona janë te ndryshimi i të tjerëve, atëherë kjo nuk do sjellë përmirësim. Jemi ne që duhet të ndryshojmë qasjen tonë, sepse ne jemi të përgjegjshëm për veten tonë, dhe jo për ambientin që na rrethon.”

Përkthyer në këshilla praktike, kjo do të thotë, tregoji stafit apo ekipit, se sa të rëndësishëm janë në realizimin e punës së tyre dhe se sa ndikon performanca e tyre në rezultatin e përgjithshëm. Tregoji atyre sa e rëndësishme dhe me vlerë është kontributi dhe puna e tyre.

Sipas Miredës, toksinat (të cilat janë katër), janë të pranishme në të gjitha ambientet, por ne nuk jemi të vetëdijshëm se çfarë janë realisht ato, të cilat jo domosdoshmërisht kanë qëllime të këqija. Ato quhen të tilla sepse kanë një ndikim negativ te njerëzit. Po cilat janë toksinat e punës në ekip ?

1. Kritika ose kur e akuzon tjetrin për një faj – Një toksinë e lehtë për t’u kuptuar sepse është e pranishme te të gjithë.

2. Mbrojtja- Kur kalojmë në mbrojtje, refuzojmë të marrim përgjegjësi, dhe akuzojmë tjetrin.

3. Indiferenca – Pra kur nuk angazhohesh as në konflikte, por as në procesin e zgjidhjes së konfliktit, thjeshtë bën punën tënde pa u marrë me askënd tjetër.

4. Përbuzja- Disa tipare ose disa sjellje shpërfillëse.

Është e rëndësishme të dimë, që çdo ilaç ka ndonjë antidot.

Nëse unë ndihem e kritikuar, si rrjedhojë angazhimi im për të zgjidhur këtë problem nuk do jetë maksimal. Ideja është që të dëgjojmë më shumë të tjerët dhe të tregohemi më të sinqertë me emocionet tona. Mos harrojmë që duhet të jemi më përgjegjës për sjelljet tona dhe më pas të kërkojmë ndryshim te të tjerët.

Kur jemi të angazhuar në ambientin e punës, nuk duhet të evitojmë konfliktet, sepse ku ka debat ka energji dhe zgjidhje. Ka punë, ka ecje përpara. Thjeshtë duhen vendosur disa rregulla bazë që ky konflikt mos të jetë, dekonstruktiv por të shndërrohet në një ndërveprim konstruktiv. Pra hyjmë në një debat që të nxjerrim diçka konstruktive prej tij edhe se idetë tona janë të ndryshme.

Kur bëhemi pjesë e një diskutimi nuk duhet të drejtojmë gishtin te personi tjetër. Këtë pistoletë gishti duhet ta kthejmë në xhep, sepse në të tilla situata duhet të ia nisim me fjalën “Unë”. “ Unë në këtë moment nuk po dëgjohem”, “ Unë në këtë moment ndihem sikur i kam duart e lidhura”.

Është shumë e rëndësishme të marrim parasysh dhe diversitetin. Pra, në një diskutim duket të prezumojmë që personi ka qëllime pozitive. Edhe nëse ndodh që personi nuk i ka, suksesi qëndron të dhënia e një tjetër drejtimi bisedës. Për shembull në vend që të themi: “ Unë e kuptoj qëllimin tënd, por për të mirën e punës…”; duhet të themi: ” Unë e kuptoj qëllimin tënd dhe për të mirën e punës”. Pra të përdorim lidhëzën “dhe” dhe jo “por’ e cila është përjashtuese.

Mendimi ynë duhet thënë me filtra. Me pak fjalë nuk duhet t’i përshtatemi tendencës për ta thënë mendimin tonë pa filtra, sepse në këtë mënyrë lirojmë veten duke ngarkuar bashkëfolësin. Karakteristikat e ekipit që punon shumë, janë produktiviteti. Po sa i rëndësishme është produktiviteti. Kush e përcakton produktivitetin ? Respekti, besimi, sensi i përkatësisë, diversiteti.

Metoda e fundit kundër toksinës së katërt është vënia në lojë. Pra të mundohemi që të jemi të vetëdijshëm për fjalët jo pozitive dhe toksike. Një mënyrë shumë e mirë është të vendoset një arkë e përbashkët dhe të hidhet nga një monedhë nga personi i cili ka qenë më toksik kundrejt të tjerëve. Shuma e mbledhur mund të shpenzohet përsëri në të mirën e kolektivit.

Nuk duhet të harrojmë që të gjitha ngjarjet që na ndodhin janë pjesë e një procesi njerëzor që i prek të gjithë. Është e rëndësishme të fokusohemi në atë që duam të arrijmë dhe të bëjmë. Kur ndalesh së qenë toksik kjo do të ndalë dhe njerëzit rreth teje të cilët nuk do kenë më hapësirë për të zhvilluar energjinë e tyre.