Vetëm pak muaj më parë, çifti i ish-dukëve të Sussex-t Meghan Markle dhe princ Harry u bë pre e sulmeve mediatike, një realitet më se i zakonshëm për të dy, për shkak të shpenzimeve të çmendura sidomos lidhur me udhëtimet e shumta, tejet të shtrenjta të tyre. Asokohe shtypi shpërtheu në akuza për shpërdorim fondesh publike dhe kërkoi që të mbahej një referendum për të ridimensionuar shpenzimet e prindërve të Archie-t. Megjithatë duket se situata ku ndodhen tani, larg mbretërisë dhe me burime ekonomike të mëvetësishme, ka bërë që Meghan dhe Harry të tregohen më të kujdesshëm me paratë.
Ish-aktorja e “Suits” dhe Harry u fotografuan për herë të parë bashkë, që pas vendimit për t’u larguar në Kanada. Në fotot e siguruara nga Daily Mail, çifti duket i lumtur teksa dilte nga një avion ekonomik, në Aeroportin “Victoria International” në Kanada.
Meghan kishte veshur një bluzë me vija blu dhe të bardha, xhinse të zeza dhe triko të zezë. Në dorë mbante laptopin, telefonin dhe çantën. Tani që ata kanë zgjedhur të bëjnë një jetë të thjeshtë, janë munduar të reduktojnë sa më shumë shpenzimet. Nëse më para udhëtonin me avionë privatë, tanimë zgjedhin ata ekonomikë. Po ashtu, ata mbyllën zyrën e tyre në Buckingham Palace dhe si rrjedhojë shkurtuan stafin.